Botë

Berlini, kryeqyteti i përhershëm i spiunëve

Një zyrtar i Ambasadës britanike në Berlin kohë më parë është arrestuar nën pretendimin se ka punuar për rusët. Tingëllon si një rrëfim nga koha e luftës së ftohtë, porse në fakt është dukuri e zakonshme. Veçmas për Berlinin, i cili e ka namin e traditës së gjatë të spiunazhit

David S. më 10 gusht ishte arrestuar në Berlin. Prokuroria Federale e Gjermanisë e justifikoi urdhrin për arrestim duke i zbardhur hollësitë e rastit.

“David S. krejt deri në arrestimin e tij ka qenë i punësuar si bashkëpunëtor lokal në Ambasadën britanike në Berlin”, thuhej në njoftim, shkruan agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle. “Ai së paku një herë i ka siguruar një përfaqësuesi të shërbimit sekret rus dokumente, të cilat i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij në ambasadë. I fajësuari për ndarjen e informatave ka pranuar për këtë punë një shumë të panjohur të parave. Arrestimi i tij është rezultat i bashkëpunimit të institucioneve gjermane dhe atyre britanike”, raporton DW.

Image

Pyetjet e mediave

Rasti nuk është spekulativ. Shefi i Këshillit të Parlamentit britanik për Politika të Jashtme, Tom Tagenhat, konsideron se bëhet fjalë për një “peshk të vogël”, ka transmetuar agjencia gjermane e lajmeve DPA. Në lajmin e agjencisë citohet ajo që për BBC-në britanike e ka thënë politikani britanik: “Fjala është për dikë që ndodhet krejt në fundin e hierarkisë dhe që fare pa menduar ka marrë vendime jo fort të mençura dhe është e mundur që edhe e ka tradhtuar vendin e tij”.

Politikani britanik, sipas Deutsche Welles, supozon se britanikët dhe gjermanët, teksa e kanë ndjekur për muaj të tërë atë person, kanë siguruar të dhëna të çmuara rreth punës së rusëve në Berlin. Në një konferencë për media, një ditë pas arrestimit, gazetarët shtruan një sërë pyetjesh: A do të thirret për konsultime ambasadori rus? A po mendohet rreth sanksioneve të reja? A e ka identifikuar pala gjermane përfaqësuesin e shërbimit sekret rus? A është ai bashkëpunëtor i Ambasadës ruse?

Përgjigja e maskuar e Qeverisë gjermane

Zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme ka deklaruar se Qeveria po e trajton me “shumë seriozitet” rastin dhe se e cilëson të papranueshëm spiunimin e aleatëve të Gjermanisë në territorin gjerman. Një qëndrim të ngjashëm, DW-ja shkruan se e ka shpërfaqur edhe zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë.

“Natyrisht, nuk mund t’ju jap më shumë informata prej atyre që ndodhen në njoftimin e prokurorëve shtetërorë”, është përgjigjur ai. Dhe i ka drejtuar përfaqësuesit e mediave në një adresë të caktuar në Karlsruhe, përderisa në pyetjet e adresuara me email janë dhënë gjithashtu përgjigje të maskuara, pa shumë hollësi.

Deutsche Welle ka shkruar se dihet që David S. nuk është diplomati kyç që vjen nga Londra, porse i përket stafit lokal që rekrutohet në Berlin. Shërbimi gjerman i Mbrojtjes Kushtetuese prej kohësh është i bindur se zyrtarët rusë të inteligjencës po përpiqen të infiltrojnë njerëz të rinj në Berlin.

Në një raport të shërbimit sekret të këtij shërbimi, i cili është i angazhuar edhe për kundërspiunazh, ceken katër akterë të spiunazhit dhe të ushtrimit të ndikimit në Gjermani: Federata Ruse, Republika Popullore e Kinës, Irani dhe Turqia.

Image

Rusia në fokusin e Mbrojtjes Kushtetuese

Rusia është në vëmendjen e veçantë të Shërbimit të Mbrojtjes Kushtetuese.

Në raportin e shërbimit, sipas DW-së, përmenden tri raste që “i trazojnë marrëdhëniet politike me shtetet perëndimore”.

Vetëm njëri prej tyre ka depërtuar në territorin e Gjermanisë.

“I pari është helmimi i ish-agjentit ushtarak rus, Sergei Skripal, në Salsbury të Anglisë në marsin e 2018-s. Vrasja e një gjeorgjiani në një park të Berlinit në gushtin e vitit 2019, i dyti. Dhe i treti incident është ai i gushtit të 2020-s, kur në Rusi viktimë e helmimit ishte bërë politikani opozitar rus Alexei Navalny”, ka numëruar agjencia gjermane e lajmeve.

Në krahasim me këto raste, arrestimi i Davis S. duket si pothuajse tërësisht i padëmshëm.

Organet hetuese të Gjermanisë nuk specifikojnë se cilat dokumente ai ua ka dorëzuar rusëve.

Në mungesë të informatave më të sakta, e përditshmja gjermane “Bild” ka krahasuar David S-në me filmin e famshëm me spiunin James Bond. Porse në shkrimin e saj gazeta ka specifikuar se David S. nuk është “007”-shi, por se “00-askushi”.

Gazeta i shpalos edhe të dhënat e hollësishme lidhur me arrestimin e tij në Potsdam, shumë afër Berlinit.

“Para ndërtesës nuk janë të parkuar xhipa alla-James Bond, por një Ford Fiesta. Banesën dydhomëshe policia e bastisi në katër të mëngjesit. Vendbanimi – Potsdam – ku banojnë milionerët, por edhe ish-gjeneralët e policisë sekrete gjermano-lindore, përkon me klishenë rreth Berlinit si qytet i spiunazhit. Potsdami dhe Berlini janë të lidhur njëri me tjetrin me anë të urës së famshme Glienicke, kufirin e dikurshëm midis botës sovjetike dhe asaj perëndimore, në të cilën superfuqitë botërore i shkëmbenin spiunët. Filmi i Steven Spielbergut ‘Bridge of Spies’ apo bestselleri i John le Carre ‘The Spy Who Came In from the Cold”, sipas të cilit është xhiruar edhe një film, janë dëshmitarë të tjerë artistikë të këtyre kohërave dramatike. Ku është takuar pesëdhjeteshtatëvjeçari David S. me ‘lidhjen’ e tij ruse e dinë vetëm ai dhe organet hetuese. Për këtë mund vetëm të supozohet – ambasadat britanike dhe ruse fare pranë portës së Bunderburgut, në fqinjësi. Në mungesë të fakteve, mund vetëm të spekulohet”, ka shkruar gazeta, transmeton Deutsche Welle. “Në fund mbase do të dalë se krejt ky skenar dramatik spiunazhi është në fakt një limonadë. Supozohet se në Berlin janë aktivë me mijëra spiunë dhe se vetëm një numër i vogël e tyre zbulohen”.

David S. nuk është madje as i pari spiun i tillë gjatë këtij viti.

Kundër Jens F. një aktakuzë e ngjashme është ngritur qysh në shkurt. Ai ka punuar për një kompani, punëdhënës i të cilës ishte Bundestagu. Ka punuar në verifikimin e sigurisë së aparateve elektronike.

Deutsche Welle kujton se Jens F, si ish-bashkëpunëtor i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, me vetëdëshirë i kishte dërguar mes qershorit dhe shtatorit të 2017-s të dhëna mbi Bundestagun një personi nga Ambasada ruse, i cili ishte përgjegjës për shërbimin sekret ushtarak.

Lidhur me David S. nuk dihen shumë hollësi. Mbase do të jetë shumë interesante krejt ajo që në fund të fundit do të mësohet. Por, Deutsche Welle tërheqë vërejtjen se mbase edhe nuk do të jenë.

“Ndoshta nuk do të mësojmë asgjë më shumë. Tekefundit, bëhet fjalë për shërbime sekrete”, e përmbyll shkrimin agjencia gjermane.