Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Agjenti gjerman i ofroi Rusisë informacione sekrete

Një punëtor i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës Gjermane është arrestuar nën dyshimet për tradhti pasi ka ofruar informacione sekrete te Rusia, ka bërë të ditur prokuroria gjermane. I dyshuari, shtetas gjerman, i identifikuar si Carsten L, është arrestuar të mërkurën në Berlin. Apartamenti dhe zyra e punës në Shërbimin Federal të Inteligjencës dhe një tjetër person janë bastisur.

Prokuroria nuk ka ofruar detaje të personit të dytë. Prokuroria gjermane ka thënë se punonjësi i BND-së ka ofruar informacione te një shërbim rus i inteligjencës, të cilin nuk e kanë identifikuar.

Prokuroria ka deklaruar se informacionet që kishte ofruar ishin “sekret shtetëror”. I dyshuari ka dalë të enjten para gjykatës, e cila ka urdhëruar mbajtjen në paraburgim dhe do të presë procesin gjyqësor.

Shefi i BND-së, Bruno Kahl, ka thënë se prokuroria është thirrur menjëherë pasi hetimet e brendshme paralajmëruan për tradhti të mundshme. Ndërkaq, në vitin 2016 një punëtor i BND-së ishte dënuar me tetë vjet burgim pasi kishte ofruar informacione të shumta sekrete te CIA. Ai po punonte si agjent i dyfishtë.