"Ka ende shumë për të bërë, ne duhet të rrisim dhe të përshpejtojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën shpejt. Gjëja e parë dhe më urgjente që duhet të bëjë një Evropë gjeopolitike është ta armatosë Ukrainën”, ka deklaruar Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, në Konferencën e Sigurisë në Munih
(AP) - Shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian po u kërkon anëtarëve të bllokut të rrisin dhe të shpejtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
"Ka ende shumë për të bërë, ne duhet të rrisim dhe të përshpejtojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën shpejt. Gjëja e parë dhe më urgjente që duhet të bëjë një Evropë gjeopolitike është ta armatosë Ukrainë”, ka deklaruar Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, në Konferencën e Sigurisë në Munih.
“Siç thanë dje të gjithë liderët evropianë këtu - që Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë, që Ukraina duhet të mbizotërojë. Pastaj le të kalojmë nga fjalët te faktet dhe të përshpejtojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën, sepse Ukraina është në një situatë kritike nga pikëpamja e municioneve që ka”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se nuk duhet të merret shumë kohë për vendime kritike, sikur në rastin e tankeve evropiane për Ukrainën. “Të gjithë e dinë se për të fituar një luftë, një luftë klasike me llogore dhe manovra ose armë të rënda, ju duhen tanke luftarake, ju nuk do ta fitoni këtë luftë pa këtë lloj të armëve dhe tani kjo mungesë municionesh duhet të zgjidhet shpejt, është çështje javësh”, ka shtuar Borrell.
Kina ndërkaq po konsideron t'i japë Rusisë armë dhe municione për luftën në Ukrainë, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Blinken i tha CBS Newsit se kompanitë kineze tashmë po ofronin "mbështetje jovdekjeprurëse" për Rusinë - dhe informacionet e reja sugjeronin se Pekini mund të ofrojë "mbështetje vdekjeprurëse". Ky përshkallëzim do të nënkuptonte "pasoja të rënda" për Kinën, paralajmëroi ai. Kina ka mohuar raportet se Moska ka kërkuar pajisje ushtarake. Presidenti kinez Xi Jinping është një aleat i presidentit rus Vladimir Putin dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë - por ai ka kërkuar të mbetet neutral në konflikt dhe ka bërë thirrje për paqe. Blinken foli pasi u takua me kryediplomatin kinez, Wang Yi, të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Joe Biden do të udhëtojë për në Poloni për t'u takuar me aleatët për t'i siguruar për angazhimin e SHBA-së ndaj rajonit, pasi pushtimi vdekjeprurës i Ukrainës nga Rusia po bën pothuajse një vit.
"Ne e dimë se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë dhe kritikë, veçanërisht për forcat e tyre të armatosura", u tha gazetarëve së fundmi John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar: "Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të aleatëve”.
Duke theksuar mbështetjen e tij për Ukrainën, Biden ftoi - për të dytin vit radhazi - ambasadorin e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, si një nga të ftuarit e tij special në fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit.
Duke e përshkruar pushtimin e Rusisë si "një provë për botën", Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën "për aq kohë sa duhet".