27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që ta reduktojnë përdorimin e gazit rus pas vendimit të Moskës për të ndërprerë furnizimet. Megjithatë, Hungaria tash ka shpallur emergjencë energjetike. Ukraina ndërkaq, e ka cilësuar si akt terrorist vendimin rus për kufizimin e furnizimit
Qeveritë e Bashkimit Evropian ranë dakord të martën të racionojnë gazin natyror këtë dimër për t'u mbrojtur nga çdo ndërprerje e mëtejshme e furnizimit nga Rusia, ndërsa Moska po vazhdon luftën për pushtimin e Ukrainës.
Legjislacioni i ri përfshin hapa kombëtarë vullnetarë për të reduktuar konsumin e gazit dhe, nëse masat rezultojnë me kursime të pamjaftueshme, një shkas për lëvizje të detyrueshme në bllokun 27-anëtarësh.
Hungaria me “me emergjencë energjetike”
Qeveria e Hungarisë kohët e fundit shpalli "emergjencë energjetike" si kundërpërgjigje ndaj ndërprerjeve të furnizimit dhe rritjes së çmimeve të energjisë në Evropë.
Duke filluar nga data 1 gusht, disa nga bizneset nuk do ta marrin më energjinë me çmimin e mbrojtur nga qeveria dhe do të shtohet numri i atyre që do të duhet të paguajnë me çmimin e tregut.
Masat e mëparshme të qeverisë nacionaliste të Hungarisë për të zbutur efektet e rënies ekonomike dhe inflacionit të lartë përfshinin vendosjen e tavanit zyrtar të çmimeve për karburantet dhe produktet e ndryshme ushqimore dhe vendosjen e taksave speciale në disa sektorë tregtarë.
Sipas njoftimit të qeverisë, të premten e kaluar vetëm disa ndërmarrje të vogla do të marrin energji me çmim të reduktuar nga 1 gushti 2022 deri në fund të vitit.
Kjo do të thotë se konsumi i një ndërtese pak më të madhe se shtëpia mesatare familjare mund të futet ende në skemë, por mbi tavanin, çmimet e tregut vlejnë për të gjitha ndërmarrjet.
Vendimi rus, “akt terrorizmi”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, akuzoi përsëri Rusinë se ndërprerja e furnizimit me gaz nga përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” është një formë terrorizmi.
Zelenskyy tha se "kjo është një luftë e hapur gazi që Rusia po zhvillon kundër një Evrope të bashkuar - pikërisht kështu duhet të perceptohet".
Ai shtoi se masa e Rusisë duhet të përdoret si nxitje që paketa e ardhshme e sanksioneve të Bashkimit Evropian "të jetë dukshëm më e rëndë se e shtata e miratuar së fundmi".
Ndërkohë, inteligjenca britanike njoftoi të martën se trupat ruse po kryejnë sulme raketore në portin e Odesës në Ukrainë, derisa nuk ka tregues nëse u qëlluan caqet ushtarake.
Në raportin e përditshëm, Britania e Madhe tha se Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi që Ukrainës iu shkatërrua një luftanije dhe një depo raketash.
“Rusia me siguri i percepton raketat kundër anijeve si një kërcënim kryesor që po kufizon efektivitetin e flotës së saj të Detit të Zi. Kjo ka dëmtuar ndjeshëm planin e përgjithshëm të pushtimit, pasi Rusia nuk mund të tentojë realisht një sulm amfib për të pushtuar Odesën”, thuhet në njoftimin britanik.
Cilat shtete kanë depozituar më së shumti gaz për dimër?
Ndërkohë që Rusia po e mbyll rubinetin e gazsjellësit “Nord Stream 1” dhe anëtarët e Bashkimit Evropian përpiqen të bien dakord për një politikë të përbashkët të racionimit të konsumit të energjisë këtë vit, gara për t’i mbushur depozitat e gazit natyror përpara dimrit, po vazhdon.
Disa vende pothuajse e kanë përfunduar këtë punë, ndërsa të tjerat janë shumë prapa.
Portali AGSI ofron një pasqyrë ditore të kapacitetit të depozitimit të gazit në Evropë, dhe sipas të dhënave, Gjermania, që ka kapacitetin më të madh për ruajtjen e gazit në BE –243 teravatë orë, i ka mbushur këto kapacitete për 66 për qind. Kaq, 66 për qind, është edhe mesatarja në Bashkimin Evropian.
Polonia është nga të paktat në BE që pothuajse i ka mbushur depozitat e saj (98.5 për qind) ose 35.9 teravatë orë. Portugalia është gjithashtu në 100 për qind e Suedia në 90 për qind të kapaciteteve të depozitimit.
Në garën për të mbushur depozitat para dimrit, Bullgaria mbetet goxha prapa me 44,4 për qind.
Kapaciteti i përgjithshëm për ruajtjen e gazit natyror në BE është 1.110 teravatë orë, që është vetëm një e katërta e konsumit total vjetor të BE-së prej 4.152 teravatë orë./AP