Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja propozon zgjatjen e përdorimit të certifikave të COVID-19

Komisioni Evropian propozoi të enjten të zgjasë me një vit përdorimin e certifikatave të COVID-19 që synojnë lehtësimin e udhëtimit nëpër bllokun 27-shtetësh gjatë pandemisë, deri në fund të qershorit 2023.

Pavarësisht paralajmërimit nga drejtori i OBSH-së për Evropën se kontinenti po shkon drejt fazës së fundit të pandemisë, BE-ja ka thënë se virusi është ende shumë i përhapur në Evropë.

“Në këtë fazë nuk është e mundshme që të përcaktohet ndikimi i një rritje të mundshme të infektimeve në gjysmën e dytë të vitit 2022, ose dalja e varianteve të reja”, ka thënë Komisioni.

Komisioneri për drejtësi, Didier Reynders, tha se dështimi i zgjatjes së skemës mund të çojë në konfuzion nëse i kalon afati ndërsa pandemia vazhdon të jetë e pranishme, raporton AP.

Për të hyrë në fuqi, zgjatja e afatit të certifikatave duhet të pranohet nga anëtarët e BE-së dhe Parlamenti Evropian.

Certifikatat COVID-19 hynë në fuqi në korrik të vitit të kaluar dhe kanë qenë dokumente të suksesshme për ndihmën e qytetarëve evropianë që udhëtojnë nëpër Evropë, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen masave si karantinës. Deri tash, shtetet e BE-së kanë lëshuar mbi 1.2 miliardë certifikata.