Fëmijët e shfrytëzuar nga bandat e drogës po detyrohen të vrasin dhe gjymtojnë njerëz për kriminelët dhe kartelet, ka thënë Bashkimi Evropian, teksa ka nisur një sërë iniciativash për të goditur kontrabandën e kokainës.
Komisionerja evropiane për punët e brendshme, Ylva Johansson, ka thënë se të rinjtë po joshen nga një tregti gjithnjë e më e lulëzuar, që është një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë në Evropë.
“Ata po radikalizohen dhe po përgatiten për t'u bërë vrasës. Ata janë ekuivalenti i bandës së drogës me fëmijë ushtarë. Tregtia e drogës e orkestruar nga krimi i organizuar është një nga kërcënimet më serioze të sigurisë me të cilat përballet Evropa sot dhe situata po përshkallëzohet”, ka thënë ajo.
Johansson, e cila është suedeze, përmendi arrestimin javën e kaluar në një periferi të Stokholmit të një 16-vjeçari në lidhje me vrasjen e dy grave, një në të 20-at dhe një në të 60-at, ndërsa fëmijët ishin në shtëpi. Ai u arrestua me armë automatike dhe lidhej me një tjetër vrasje.
“Kjo është vetëm e fundit në një seri vrasjesh të kryera nga fëmijë”, ka thënë ajo, duke zbuluar një plan për të luftuar trafikun e drogës.
Edhe
Torturimi i fëmijëve afrikanë nga bandat evropiane të drogës
BE-ja dëshiron të forcojë strategjitë për të penguar rekrutimin e fëmijëve, duke përfshirë identifikimin e shenjave të hershme, si përshembull, një fëmijë që arrestohet për vjedhje dyqanesh ose që braktisin shkollën.
Brukseli gjithashtu dëshiron të zhvillojë sistem evropian të alarmit për drogën për t'ia bërë të ditur shpejt autoriteteve kombëtare dhe përdoruesve të drogës kur substanca të reja të rrezikshme hyjnë në treg.
Shifrat tregojnë se 50 për qind e të gjitha vrasjeve në BE tani janë të lidhura me drogën dhe frika po rritet për drogat sintetike të prodhuara në laboratorë si dhe kokainën.
Një rekord prej 303 tonë kokainë u kap në BE në vitin 2021, viti më i fundit për të cilin disponohen të dhëna të plota, pesë herë më shumë se një dekadë më parë. Tre të katërtat e të gjitha konfiskimeve u bënë në tre vende: Holandë, Belgjikë dhe Spanjë.
Pasojat janë korrupsioni në rritje, pasi kartelet joshin me shumë para punëtorët e porteve dhe zyrtarë të ndryshëm.
Edhe
Kokainë, korrupsion dhe ryshfet, porti gjerman i rrethuar nga bandat e drogës
Por kokaina nuk është problemi i vetëm. BE-ja dëshiron të tregojë se ka nxjerrë mësime nga kriza e fentanilit në SHBA, e cila besohet të ketë shkaktuar 100 mijë vdekje. Në fillim të këtij viti, Johansson ngriti shqetësimet për përdorimin e mundshëm të fentanilit në bllok pasi policia bastisi një laborator në Letoni dhe sekuestroi 5 kg fentanil, i cili është 50 herë më i fortë se heroina.
BE-ja planifikon gjithashtu të punojë me vendet Latine dhe të Amerikës Qendrore për të ndarë inteligjencën dhe strategjitë për të luftuar rrjetet e kriminelëve. Komisioni Evropian ka thënë se është duke negociuar marrëveshje ndërkombëtare me Ekuadorin, Brazilin, Bolivinë, Perunë dhe Meksikën për të shkëmbyer të dhëna personale me Europolin. BE-ja po punon gjithashtu me SHBA-në në një iniciativë të nisur nga sekretari i shtetit, Antony Blinken, për të trajtuar kërcënimin e drogave sintetike dhe për të mbyllur strehë të sigurta për kartelet e drogës.