Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja përshpejton aprovimin e vaksinës ndaj COVID-19, pas presionit gjerman

Foto: Reuters

Rregullatori i Ilaçeve në Bashkimin Evropian ka përshpejtuar procedurën për vendimmarrjen rreth aprovimit të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, pasi Gjermania bëri të ditur në mënyrë të prerë se e kërkon kalimin e saj para Krishtlindjes.

Agjencia Shëndetësore Evropiane me seli në Amsterdam ka paralajmëruar se do të takohet më 21 dhjetor, në vend se më 29 dhjetor, për të vendosur nëse t’ia japë aprovimin injektimit. Kjo pas kritikave të shumta nga vendet e dëshpëruara anëtare të BE-së për sigurimin e vaksinave dhe pas pretendimeve të ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, se agjencia rrezikon që ta humbasë besimin e qytetarëve evropianë nëse nuk e ndërmerr këtë veprim sa më parë që të jetë e mundur.

“Synimi është që ta sigurojmë aprovimin para Krishtlindjes”, ka thënë Spahn gjatë një konference për medie në Berlin. “Duam që ta fillojmë vaksinimin në Gjerman para fundit të vitit”.

Duke folur në tone të përafërta me homologun gjerman, ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka thënë se shpreson që EMA-ja “do të jetë në gjendje që ta aprovojë vaksinën e ‘Pfizer’-‘BioNTech’-ut para afatit të paraparë”.

Qeveria gjermane kishte insistuar më herët se aprovimi emergjent i kurës që aktualisht ka nisur të jepet në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada do të kishte ndikim negativ në gatishmërinë e publikut për vaksinim. Gjermania ndryshe është një prej vendeve me numrin më të madh të qytetarëve me qëndrime kundër vaksinimit. Por Spahn ka thënë se Gjermania do të vepronte e vetme për sa i përket aprovimit, po qe se këtë gjë nuk e bën blloku si tërësi.

Duke iu adresuar kritikave se Britania, SHBA-ja dhe Kanadaja kanë siguruar vaksinat para BE-së, Spahn ka thënë se vendimi i EMA-së do të ishte “aprovimi i parë botëror prej rregullatori” i një vaksine dhe se për këtë gjë do të angazhoheshin ekspertë nga të gjitha 27 vendet anëtare të bllokut evropian.

“Kemi thënë që nga fillimi se do ta bëjmë këtë në nivel evropian dhe jo atë kombëtar... ‘Ne’ është përherë më e fortë se sa ‘unë’”, ka thënë Spahn.

Debati për vaksinë është ndezur në kohën kur Gjermania do të fillojë nga e mërkura zbatimin e masave më të ashpra të izolimit shkaku i përhapjes drastike të koronavirusit. Këto masa do të zgjasin të paktën deri më 10 janar dhe do të përfshijnë mbylljen e shkollave dhe kopshteve të fëmijëve, si dhe të dyqaneve joesenciale dhe parukerive.

Deri në vjeshtë Gjermania kishte kaluar më mirë se cilido vend tjetër evropian, duke shënuar shkallë theksueshëm më të ulët të infeksioneve dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19. Por ekspertët kanë thënë se mesatarja në nivel vendi është ngritur, pjesërisht si rrjedhojë e perceptimit të gjithmbarshëm se virusi është vënë nën kontroll. \ 

Reuters-AP

Artikuj të ngjashëm