Bashkimi Evropian ka përgatitur një paketë "të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse" sanksionesh për të lëshuar ndaj Rusisë nëse ajo vazhdon agresionin e saj ndaj Ukrainës, ka deklaruar presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen për gazetat Handeslblatt dhe Les Echos.
Rusia, e cila pushtoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbështet separatistët në lindje të vendit, ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufirit ukrainas dhe po kërkon garanci sigurie duke përfshirë një premtim që NATO-ja nuk do ta pranojë kurrë Kievin.
"Ne kemi përgatitur një paketë të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse sanksionesh financiare dhe ekonomike”, ka thënë von der Leyen për gazetat, duke shtuar se këto përfshijnë "kufizimin e aksesit në kapitalin e huaj" dhe "kontrollet e eksportit, veçanërisht për mallrat teknike".
Tubacioni i diskutueshëm Nord Stream 2 i Detit Baltik ishte gjithashtu pjesë e paketës së sanksioneve.
“Nëse tubacioni mund të hyjë në veprim varet "nga sjellja e Rusisë", ka thënë von der Leyen.
"Njerëzit e afërt me Putinin dhe oligarkët sigurisht që mund të goditen me ndjeshmëri”, ka shtuar ajo.
Rusia ka formuluar disa opsione si një justifikim për të pushtuar Ukrainën, duke përfshirë përdorimin e mundshëm të një videoje propagandistike që tregon një sulm të organizuar, thanë Shtetet e Bashkuara të enjten, ndërsa Kremlini dënoi dislokimet e trupave amerikane në rajon.
Kremlini akuzoi Uashingtonin të enjten se ka injoruar thirrjet e tij për të lehtësuar ngecjen, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgonin gati 3,000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani.