Botë

Bashkimi i copëzave të thyera nga pandemia

Për rindërtimin e botës pas pandemisë do të duhej një përpjekje kolosale njerëzore. Njerëzve do t’u duhej guxim që të bëjnë plane përsëri, të rrezikojnë përsëri, të shpenzojnë para përsëri dhe të bëjnë fëmijë përsëri. Të duan përsëri, të qeshin përsëri, të bëhen përsëri njerëz. Por disa nga ato gjëra do të jenë të paarritshme për miliona që do të dalin nga pandemia me edhe më pak sesa kishin më parë

Notat muzikore përhapen përtej dritares së apartamentit nga gishtat që lëviznin shpejt nëpër akordionin që u bën serenada darkuesve në restorantin më poshtë.

Për vite me radhë xhevahiri bredhacak ishte pjesë e dekorit të Montmartre, lagjja e bohemëve të Parisit, aty ku brodhi Edit Piafi e Pablo Picassoja mbajti një mi në shtëpi kur bëri revolucion në art.

Fizarmonisti u zhduk në pikun e pandemisë në Francë, sikur ta kishte përpirë toka. Për 15 muaj rresht nuk doli as edhe një tingull nga vrimat e fizarmonikës së tij. Pastaj nga fundi i majit u shfaq krejt papritur. Dhe gjëja më e çmendur ishte se në botën që përmban shumë pak gjëra që ishin dikur, repertori i tij është notë për notë si më parë.

“E pabesueshme”, thotë Nathalie Sartor, e mbështetur te dritarja e apartamentit të saj në Montmartre në një mbrëmje qershori. E mbërthente qetësia nga muzika e tij e përzier. “Ka luajtur nën dritaren tonë për dhjetë vjet dhe në këto vite muzika e tij nuk ka ndryshuar as edhe një notë”.

Në një botë të trazuar dhe të ndryshuar nga stuhia e virusit, pak gjëra kanë mbijetuar në tërësi. Ka pak kujtime të asaj që ishte, por edhe të atyre që kanë humbur: miliona jetë, jetesë dhe siguri.

“Kjo vërehet me fillimin e jetës dhe e kuptoni se sa e vështirë ishte, thotë Sartor, 57-vjeçare.

Si studim se si njerëzit janë duke u përpjekur, sa më mirë që të munden, për të kaluar krizën Sartor dhe familja e saj në Montmartre janë pjesë e saj së bashku me një çift nga Brazili. Pse ata? Sepse pandemia e tyre ka qenë, në tërësi, e papërballueshme. Nuk i mbyti ata ose të dashurit e tyre. Por ua ktheu jetën përmbys dhe ende është e njëjtë. Sikur në gjithë botën.

Virusi, një njollë e imët e sëmundjes, ka dalë të jetë ndarës i madh i njerëzimit. Ishte në gjendje të hynte në qelizat e 7.8 miliardë banorëve të Tokës, pavarësisht se kush janë apo ku janë. Shërbeu si test i madh i stresit të unitetit që prej Luftës së Dytë Botërore. Virusi detyroi ndryshimet kolektive të sjelljes dhe ngjalli ndasi të reja e forcoi ato të vjetrat.

Pandemia e gjithçkaje

Shtetet e mëdha nisën vaksinimin, duke lënë pas miliarda të pavaksinuar, të rrezikuar nga variantet e reja që po shërbejnë si kërcënim i madh. Shtetet e vogla fqinje duartrokitën punën e mjekëve, por ua lanë një mesazh se “ju po përhapni virusin”. Miqtë u mbështetën, por edhe injoruan njëri-tjetrin. U shoqëruan në rrjetet virtuale, por u shkëputën fizikisht gjatë muajve të izolimit.

Ka qenë pandemi e “gjithçkaje në një vend” dhe “secili për veten”, një përvojë e domosdoshme që gjithashtu la shumë njerëz të vetmuar.

Bashkëshorti i Sartorit, João Luiz Bulcão, fotograf, ndihet çuditshëm teksa flet për ato që kanë kaluar, ani pse janë përvoja të miliarda njerëzve.

“Të tjerët kanë vuajtur më tepër apo jo? Të gjithë kanë realitetin dhe rrëfimin e tyre”.

Për rindërtimin e botës paspandemike do të duhej një përpjekje kolosale njerëzore. Njerëzve do t’u duhej të guxonin të bënin plane përsëri, të rrezikonin përsëri, të shpenzonin para përsëri dhe të bënin fëmijë përsëri. Të duan përsëri, të qeshin përsëri, të bëhen përsëri njerëz. Por disa nga ato gjëra do të jenë të paarritshme për miliona që do të dalin nga pandemia me edhe më pak sesa kishin më parë.

Në 15 muajt që fizarmonika e Montmartre ishte e heshtur, bota parapandemike e pabarazive shpellore u shkatërrua më tej në atë që do të jetë një mozaik paspandemik i humnerave edhe më të thella midis pasurive dhe gjërave.

Krejt nga fillimi

Botët e shumëfishta – disa me rrjete dhe mundësi më të fuqishme, të tjerat pa këto fuqi – po dalin nga mjegulla e pandemisë që i bëri miliarderët edhe më të pasur dhe lindi edhe disa miliarderë të rinj, por përkeqësoi varfërinë, me 100 milionë punëtorë që mezi po mbijetojnë me më pak se 3 dollarë në ditë.

Ndërkaq Sartorit i është dashur që të nisë socializimin nga e para.

“COVID-19 ka ndarë njerëzit nga miqtë. Kemi miq që jetojnë afër, por nuk i kemi vizituar. I kam thënë vetes se nuk do të bie në gracën e qëndrimit brenda dhe të bëjë ato që bëjnë njerëzit e vetmuar”, thotë ajo.

Tani i vaksinuar plotësisht, Bulcão shpreson që rihapja e Francës për turizmin do t’i sjellë pak fitime nga romantikët që e punësojnë për t’ua shkrepur fotografitë artistike në Paris. Për të përjetësuar kujtimet e tyre nga Qyteti i Dritës.

Mirëpo Brazili, ku Bulcão lindi dhe u rrit, ende është në greminën e pandemisë.

Pak më shumë se një e treta e brazilianëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës; në Francë, shifra ka kaluar gjysmën. Pasi humbi 111 mijë njerëz - një e katërta më pak se Brazili - në tri valë të përhapjes, Franca po shkrin pas muajsh kufizimesh dhe privatësish. Në kohën e duhur për verën, restorantet, muzetë dhe kufijtë janë përsëri të hapur. Përqafimi i zakonshëm francez me dy faqet, i braktisur si një puthje e mundshme që nxit vdekjen, po kthehet gjithashtu, pasi vaksinimet e bëjnë intimitetin faqe në faqe të ndihet përsëri i sigurt.

Kur Brazili po hyn në dimër, çdo dite po konfirmohen 1 mijë e 500 të vdekur nga koronavirusi. Numri total ka arritur në 515 mijë. Një valë e tretë e përhapjes së Covid-19 është e mundshme, ndërkaq normaliteti nuk diskutohet.

Me rrënjë nga dy shtetet, Bulcão, Sartor dhe dy vajzat matin fatin e tyre të mirë.

“Po të ishim në Brazil”, thotë Sartor, “mbijetesa do të ishte e vështirë”.

Emrin Gael, për djalë, ose Carolina për vajzë. Këta dy emra kryesojnë në listën e Celso Franco Jr dhe bashkëshortes së tij. Çifti është i frikësuar për lindjen e fëmijës. Sepse krijimi i jetës së re duket kaq e rrezikshme kur shumë njerëz po humbin më të dashurit e tyre prapa mureve të apartamenteve të vogla.

Juliana Franco, 35 vjeçare, preferon të presë derisa të vaksinohet, edhe pse radha e tyre nuk do të vijë para shtatorit. Babai i saj mbijetoi në kujdesin intensiv. Nëna e saj dhe një nga vëllezërit e saj gjithashtu u sëmurën. Ndërkaq dy të afërm të tyre vdiqën nga Covid-19.

Çifti ka bërë folenë e tyre në Suzano, qytet i vogël në afërsi të Sao Paulos. Brazili u bë zonë e ndaluar për udhëtarët e huaj për shkak të variantit brazilian që për herë të parë u zbulua në qytetin e Amazonës, Manausin. Magnetet e blerë në Evropë shërbejnë si dekor në frigorifer. Kanë fotografi që shkrepën në Paris në tetorin e vitit 2019. Ata angazhuan Bulcão për të ngrirë momentin kur Celso Franco Jr. u ul në gjunjë dhe i propozoi martesë me Kullën Eiffel në prapavijë.

Frika për lindje

Duan të kthehen në Paris – me Gaelin ose Carolinan ose çfarëdo emri që i vënë bebes. Por së pari duhet të jenë të sigurt që të mund të realizojnë udhëtimin.

“Duam të nisim fëmijë para fundit të vitit, por jemi pak të frikësuar”, thotë ajo. “Kam ndjesinë se vaksina është shumë larg, pra ndoshta duhet të presim për dozat së pari”.

Kur Bulcão shkrepi fotografinë e çiftit brazilian para Kullës Eiffel para se të shpërthente pandemia, të gjithë ata që ishin aty ndanë ato qëllime universale të dashurisë, jetës dhe ndjekjes së lumturisë. Pastaj jeta u bë mbijetesë. Juliana pas fotografive i shkroi Bulcãos për ta falënderuar. “Sot ishte një ditë e rëndësishme në jetën tonë. E bujshme”, i shkroi ajo.

Por Bulcão nuk është kthyer në Paris qëkur filloi pandemia. Nga dikush që nuk përtonte të hipte në aeroplan, është kthyer në person që shkel vetëm në tokë.

“Tani nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen e afërt. Kjo më shqetëson mua: mungesa e një perspektive të menjëhershme”.

Koha, ndoshta, do të shërojë disa plagë dhe do t’i sjellë qartësi.

Anaïs, vajza e vogël e Bulcãos, thotë se ditët më të errëta të pandemisë në Francë janë bërë një kujtim i turbullt për të. Me mundësi vaksinimi, 17-vjeçarja ka nisur të dalë dhe ka qenë e pamundur pa i munguar rrugët e Montmartre, teksa shëtit me fanellën me vija bardhezi që simbolizojnë Botafogon, klubin e pëlqyer të babait të saj në Brazil.

“Kur kthehem prapa, duket sikur izolimi zgjati vetëm një ditë”, thotë Anaïs.

Edhe motra e madhe Livia ka nisur të shoqërohet. Ishte në Australi me udhëtime kur pandemia goditi. U kthye për të jetuar me prindërit. Nga aty, 23-vjeçarja po bën bashkë copëzat e jetës përsëri.

Pasi përfundoi orarin e punës dhe doli për darkë me miqtë, ajo njoftoi se do të vazhdojë studimet. “Më erdhi ndërmend papritur”, thotë ajo.

“Ky është lajm i mirë”, thotë Bulcão.

Ndërkaq e vogla e ndien se asgjë nuk ka ndryshuar.

“Mund të jetoj jetën sikur pandemia nuk ka ndodhur. Këtu ashpërsimet janë më të lehta krahasuar me shtetet e tjera. Jam e privilegjuar”.

Përktheu: Gent Mehmeti