Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, ka deklaruar të martën se vendi i tij është “i vendosur” ta njohë një shtet palestinez, tek e ka dënuar Izraelin për situatën “e pajustifikueshme” të krijuar në Rripin e Gazës, si rezultat i fushatës ushtarake dhe bllokadës humanitare, transmeton “France24”.
“Ne nuk mund t’u lëmë fëmijëve të Gazës një trashëgimi dhune dhe urrejtjeje. Prandaj, e gjithë kjo duhet të ndalet, dhe pikërisht për këtë arsye jemi të vendosur të njohim një shtet palestinez”, ka thënë Barrot. “Dhe unë po punoj në mënyrë aktive drejt këtij qëllimi, sepse duam të kontribuojmë në një zgjidhje politike në interes të palestinezëve, por gjithashtu edhe për sigurinë e Izraelit”.
Barroti gjithashtu riafirmoi se Parisi zyrtar e mbështet nismën e Holandës për të rishqyrtuar marrëveshjen e bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Izraelit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka lënë të hapur mundësinë që Franca ta njohë një shtet palestinez në konferencën e Kombeve të Bashkuara që pritet të organizohet në muajin qershor.
Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja janë bërë bashkë për ta paralajmëruar Izraelin se do të ndërmarrin “veprime konkrete” nëse ai vazhdon “zgjerimin e egër” të operacioneve ushtarake në Gazë. Liderët e këtyre vendeve i kanë bërë thirrje Izraelit që t’i ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë menjëherë ndihmën humanitare që të futet në Gaza. Si pasojë e presionit ndërkombëtar, Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u detyrua të lehtësonte bllokadën e ndihmave humanitare për popullatën civile.