Botë

Autoritetet palestineze: Forcat izraelite e vranë qëllimisht gazetaren Abu Akleh

Shiren Abu Akleh - gazetarja palestineze u vra në Bregun Perëndimor

Autoritetet palestineze kanë shpallur rezultatet e hetimit për vrasjen e gazetares palestinezo-amerikane, Shireen Abu Akleh dhe pretendojnë se forcat izraelite e kanë vrarë qëllimisht atë.

Prokurori i Përgjithshëm palestinez, Akra mal-Khatib, ka thënë se një pjesëtar i forcave izraelite ka gjuajtur me qëllim në drejtim të gazetares, të cilën e ka qëlluar në kokë derisa ajo ka tentuar të arratisej, raportoi të enjten “Al Jazeera”.

“51-vjeçarja Abu Akleh, u qëllua me plumb edhe pse e kishte të veshur një helmetë dhe një jelek që qartë shënohej ‘Press’”, ka thënë prokurori.

Al-Khatib ka shtuar se hetimi i tij është bazuar në intervistat me dëshmitarët, pas inspektimit të vendit të ngjarjes dhe në një raport mjeko-ligjor.

Ai ka thënë se hetimi ka zbuluar se nuk ka pasur luftëtarë palestinezë pranë vendit ku kanë ndodhur të shtënat.

Gjatë sulmit, gazetari tjetër i Al Jazeeras, Ali al-Samoudi, është plagosur. Ai u qëllua në shpinë. Gjendja e tij është stabile.