Ministri i Arsimit i Austrisë, Martin Polaschek, ka thënë se edhe mësimdhënësit që janë të infektuar me koronavirus dhe nuk kanë simptome, duhet të paraqiten në orët mësimore.
Polaschek ka thënë se heqja e karantinës vlen edhe për mësimdhënësit, si për të gjitha fushat tjera. Austria ka marrë vendim që të heqë karantinën për personat e infektuar me COVID që nuk kanë simptome. Por, ata duhet të mbajnë maska “FFP2”.
“Nëse shfaqet ndonjë lloj i ri, që është shumë ngjitës dhe çon në sëmundje më të rënda, atëherë rregullat do të rishikohen”, ka thënë Polaschek.
Ai ka thënë se rregullat përfundimtare për mësim në Austri për vjeshtë do të bëhen të ditura më 29 gusht.
Rajonet e Vjenës dhe Burgenlandit, ku viti i ri fillon më 5 shtator, kanë thënë se nuk do të detyrojnë mësimdhënësit e infektuar që të japin mësim në shkolla.
Ndërsa Sindikata e Punonjësve të Arsimit e ka kritikuar ministrin Polaschek.
“Është e vështirë të kuptohet kur thuhet se fëmijët që janë të infektuar me koronavirus duhet të ulen në klasë dhe mësuesit e infektuar duhet të japin mësim”, ka thënë kreu i Sindikatës, Paul Kimberger.