Botë

Ashpërsohet konflikti Izrael-Gazë, me gjithë përpjekjet diplomatike të SHBA-së

Teksa armiqësia më e ashpër rajonale ndër vite nuk ka shfaqur shenja të qetësimit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka nxitur të hënën të dyja palët që t’i mbrojnë civilët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti dhe ndërmjetës të OKB-së kanë ashpërsuar përpjekjet diplomatike për qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme përderisa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të takohet të enjten për të diskutuar rreth dhunës

Izraeli ka vërshuar Gazën me sulme ajrore të hënën teksa militantët palestinezë kanë lansuar raketa drejt qyteteve izraelite në përshkallëzimin më të fundit të luftimeve gjersa përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve rajonale kanë dështuar që t’i ndalin luftimet vdekjeprurëse në hyrje të javës së dytë të tyre.

Sulmet e Izraelit mbi enklavat palestineze me numër të madh banorësh kanë lënë të vdekur komandantin kryesor të Xhihadit Islamik dhe kanë dëmtuar rëndë një ndërtesë shtatëkatëshe me zyra, për të cilën ushtria izraelite ka bërë të ditur se përdorej nga militantët e “Hamasit”.

Raketat e “Hamasit”, disa prej të cilave janë shkrepur si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Hussam Abu Harbeed të Xhihadit Islamik, kanë nxitur izraelitët që të kërkojnë strehim gjatë shënjestrimit të drejtpërdrejtë të një sinagoge në Ashkelon dhe një godine banimi në Ashdod.

Teksa armiqësia më e ashpër rajonale ndër vite nuk ka shfaqur shenja të qetësimit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka nxitur të hënën të dyja palët që t’i mbrojnë civilët.

SHBA-ja, Egjipti dhe ndërmjetës të OKB-së kanë ashpërsuar përpjekjet diplomatike për qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme përderisa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të takohet të enjten për të diskutuar rreth dhunës.

Mbi 200 palestinezë të vrarë për një javë

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza kanë raportuar për 204 palestinezë të vrarë, 58 prej të cilëve fëmijë dhe 34 gra, që nga fillimi i përleshjeve javën e shkuar. Dhjetë persona janë vrarë në Izrael, mes të cilëve edhe dy fëmijë.

Luftimet ndërkufitare janë shoqëruar me ashpërsimin e dhunës në Bregun e okupuar Perëndimor dhe me protestat e grupeve arabe dhe hebraike përbrenda Izraelit. Policia ka bërë të ditur se një burrë izraelit ka vdekur në spital të hënën, pasi të jetë sulmuar nga protestuesit arabë gjatë javës së kaluar.

Përderisa Xhihadi Islamik ka vajtuar vdekjen e Harbeedit, ushtria izraelite ka njoftuar se ai ka qëndruar “prapa disa sulmeve terroriste me raketa anti-tank kundër civilëve izraelitë” ndërsa një gjeneral izraelit ka bërë të ditur se vendi i tij mund t’i vazhdojë luftimet “përjetësisht”.

Të paktën shtatë palestinezë janë vrarë në një sulm izraelit në Gazë gjatë orëve të mbrëmjes. Dy kanë vdekur në sulmin mbi godinën me zyra, për të cilën Izraeli ka pretenduar se përdorej nga siguria e brendshme e “Hamasit”.

“Fëmijët e mi nuk kanë mundur të flinin gjithë natës, pas përfundimit të valës intensive të bombardimeve”, ka thënë 50-vjeçarja Umm Naeem, nënë e pesë fëmijëve.

Grupet militante në Gaza gjithashtu nuk kanë shfaqur shenja të përfundimit të luftimeve. Sirenat paralajmëruese për sulmet kanë jehuar orëve të pasdites në Ashdod.

Ndërkaq në orët e hershme të ditës Izraeli ka bombarduar tunelet nëntokësore që thuhej se përdoreshin nga “Hamasi”.

“Duhet që ta vazhdojë luftën derisa nuk arrihet një armëpushim afatgjatë e jo i përkohshëm” ka thënë Osher Bugam, një banor i qytetit bregdetar izraelit Ashkelon.

“Në luftë me kohën”

Shqetësimet në botën mbarë janë thelluar të dielën, pasi një sulm ajror izraelit në Gazë ka shkatërruar disa shtëpi, në atë që ka rezultuar me vdekjen e të paktën 42 palestinezëve, përfshirë dhjetë fëmijë.

I dërguari i presidentit amerikan, Joe Biden, në rajon, Hady Amr, është takuar të hënën me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në qytetin e Bregut Perëndimor, Ramallah. Nga ana tjetër, Blinken ka theksuar se zyrtarët amerikanë janë “duke luftuar me kohën” për përfundimin e konfliktit.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me përshkallëzimin e dhunës. Me qindra persona janë vrarë apo lënduar, përfshirë fëmijët që po nxirren prej gërmadhave”, ka thënë ai, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm danez në Kopenhagë.

Megjithëkëtë iniciativa ndërkombëtare për një thirrje të përbashkët rreth përfundimit të armiqësive është penguar nga SHBA-ja, një aleate kjo më e madhe e Izraelit. Washingtoni ka bllokuar disa herë deklaratat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim.

Bideni po përballet me presion të shtuar nga vetë partia e tij për të marrë qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit dhe për të ushtruar presion për armëpushim të menjëhershëm.

“SHBA-ja nuk duhet të qëndrojë duarkryq derisa krimet kundër njerëzimit janë duke u kryer me mbështetjen tonë”, ka theksuar kongresistja amerikane, Ilhan Omar.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se kriza izraelito-palestineze po hapëron drejt “një krize të pafrenueshme humanitare dhe të sigurisë”.

“Luftimet rrezikojnë t’i tërheqin izraelitët dhe palestinezët në një spirale të dhunës me pasoja shkatërrimtare për që të dyja komunitetet dhe për të gjithë rajonin”, ka thënë Guterres. “Ngjarjet kanë potencial që të shndërrohen në një krizë të pafrenueshme humanitare dhe të sigurisë si dhe ta ushqejnë edhe më shumë ekstremizmin, jo vetëm në territoret e okupuara palestineze dhe në Izrael, por në të gjithë rajonin si tërësi”.

Sulmet e deritanishme kanë shkaktuar largimin e 34.000 palestinezëve nga shtëpitë e tyre, ka bërë të ditur i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland. \ AP-Reuters