Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

As Italia nuk i do emigrantët

Derisa në portin e Valencias në Spanjë mbërriti grupi i parë i 629 emigrantëve të anijes Aquarius, në brigjet libiane dy anije të tjera humanitare janë pozicionuar në pritje të mbarimit të dhjetëra e qindra emigrantëve të nisur nga Libia.

Këtë lajm e ka dhënë për mediat italiane, Matteo Salvini, ministri i Brendshëm njëkohësisht zëvendës/kryeministër në qeverinë e Giuseppe Contes.

“Dy anije të tjera të organizatave humanitare që lundrojnë me flamur holandez Lifeline e Seefuchs kanë mbërritur në brigjet e Libisë në pritje për të marrë ngarkesën me qeniet humane të braktisur në det nga skafistët”, informon Ministri i Brendshëm Salvini.

“Le të dinë këta zotërinj se Italia nuk është më bashkëpunëtore e biznesit të emigracionit klandestin e le të kërkojnë porte të tjera jo italiane për të zbarkuar. Si Ministër dhe si baba mund të më sulmojnë e kërcënojnë sa të duan por unë nuk heq dorë nga vendimi im dhe e bëj për të mirën e të gjithëve”, është shprehur ai, transmeton kp.

Ndaj fjalëve të Salvinit ka ardhur një reagim i fortë nga organizata humanitare gjermane që lundron me anijen me flamur holandez Lifeline. Në profilin e tyre Twitter shkruajnë “kur fashistët na bëjnë reklamë”, post ky i hequr pak orë më vonë.

Por përgjigja e Salvinit ka qenë e menjëhershme: “Një pseudo organizatë vullnetarësh quan fashist zëvendës/kryeministrin italian? Ata nuk do të prekin kurrë tokën italiane”.