Një ish-anëtare e grupit të shpërbërë militant, Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe, e cila është akuzuar për pjesëmarrje në një numër të grabitjeve, është arrestuar pas mbi 30 vjet në arrati, kanë thënë të martën autoritetet gjermane, raporton agjencia “AP”.
Daniela Klette, 65-vjeçare, është arrestuar në një apartament në Berlin të hënën pasdite. Hetuesit kanë thënë se një informacion i marrë nga publiku në nëntor, bëri të mundur arrestimin e saj.
Klette, e cila kishte një pasaportë të huaj me një emër tjetër, nuk i rezistoi arrestimit, ka thënë kreu i zyrës së policisë të shtetit të Saksonisë së Ulët, Friedo de Vries. Ajo u identifikua me ndihmën e gjurmëve të gishtave. Kërkimi i apartamentit rezultoi në dy revista dhe municione, por asnjë armë, ka thënë de Vries.
Klette ka qenë një nga tri anëtarët e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe që ishin nën kërkimin e policisë për vite të tëra. Ajo, Ernst-Volker Staubi dhe Burkhard Garwegi ndërlidhen me 12 grabitje në veri të Gjermanisë mes viteve 1999 dhe 2016, gjithashtu edhe me tentim vrasje. Autoritetet dyshojnë se motivi i grabitjeve ka qenë financimi i jetës së tyre dhe jo motiv politik.
Treshja e ish-anëtarëve të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe u vendos në vitin 2020 në listën e Europolit të personave “më të kërkuar në Evropë”. Në mes të shkurtit, hetuesit bënë apel të ri për informata rreth tyre, në një program televiziv.
Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe u krijua nga protestat e studentëve gjermanë kundër Luftës në Vietnam. Grupi nisi një fushatë të dhunshme kundër asaj që anëtarët konsideronin imperializëm amerikan dhe shtypjes kapitaliste të punëtorëve. Organizata vrau 34 persona dhe lëndoi qindra të tjerë. Ajo u deklarua e shpërbërë në 1998.
-
Qindra policë gjermanë bastisin grupe kriminale të të rinjve neonazistë në 12 shtete
-
Kapet në Tiranë 19-vjeçarja e dënuar me 10 vjet burgim në Gjermani për narkotikë
-
Europoli arreston figurat kyç të “Kartelit Ballkanik” në Gjermani
-
Arrestohen pjesëtarë të dyshuar të Hamasit në Gjermani për planifikim sulmesh
-
Autoritetet gjermane arrestojnë disa adoleshentë të dyshuar për formimin e një grupi terrorist