Armët tejkaluan aksidentet me vetura për t'u bërë shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe adoleshentët amerikanë në vitin 2020, tregon një studim i ri.
Të dhënat nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregojnë se mbi 4,300 të rinj amerikanë vdiqën nga lëndimet e lidhura me armë zjarri në vitin 2020.
Ndonëse vetëvrasjet kontribuan në këto shifra, të dhënat tregojnë se vrasjet përbëjnë shumicën e vdekjeve të lidhura me armë.
Më shumë se 390 milionë armë janë në pronësi të civilëve amerikanë.
Sipas hulumtimit - i cili u botua këtë javë në New England Journal Medicine, rritja e vdekjeve të lidhura me armë tek amerikanët, midis moshës 1 dhe 19 vjeç ishte pjesë e një rritjeje të përgjithshme prej 33.4% të vrasjeve me armë zjarri në mbarë vendin, raporton BBC, transmeton Koha.net. Vrasjet, vuri në dukje studimi, ndikojnë në mënyrë disproporcionale te të rinjtë amerikanë.
Edhe
SHBA-ja shënon nivelin më të lartë të vdekjeve nga armët në 30 vjet
Gjatë të njëjtës periudhë kohore, shkalla e vetëvrasjeve me armë zjarri në SHBA u rrit me 1.1%.
Shkalla e përgjithshme e vdekjeve nga armët për të gjitha arsyet - vetëvrasje, vrasje, të paqëllimshme dhe të pacaktuara, midis fëmijëve dhe adoleshentëve u rrit me 29.5%, më shumë se dyfishi i popullsisë në SHBA.
"Ne vazhdojmë të dështojmë të mbrojmë rininë tonë nga një shkak i parandalueshëm i vdekjes”, thuhet në letrën kërkimore të botuar në revistë të mërkurën.
Shkalla e vdekjeve të lidhura me armët për 100,000 banorë u rrit midis burrave dhe grave dhe në të gjithë demografinë etnike midis viteve 2019 dhe 2020, derisa rritje më e theksuar është vërejtur midis amerikanëve me ngjyrë.
Në të kaluarën vdekjet e lidhura me armët ishin të dytat pas aksidenteve me vetura, si shkaku kryesor i vdekjeve te të rinjtë amerikanë. Vdekjet si pasojë e aksidenteve megjithatë, kanë rënë me kalimin e kohës dhe në vitin 2020 rreth 3,900 amerikanë nën 19 vjeç vdiqën nga përplasja e veturave.
Incidentet e mbidozave të drogës dhe helmimeve u rritën me 83.6% midis viteve 2019 dhe 2020 dhe tani janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në atë grupmoshë. Një studim i veçantë i publikuar më herët në prill zbuloi se 954 të rinj vdiqën nga mbidoza në vitin 2020, krahasuar me 492 në 2019.
Edhe
Armët tejkalojnë aksidentet si shkak kryesor i vdekjeve në SHBA
Dhuna me armë në SHBA është rritur që nga fillimi i pandemisë me COVID-19, në fillim të vitit 2020.
Një studim i veçantë, i botuar në Annals of Internal Medicine në shkurt, zbuloi se 7.5 milionë të rritur në SHBA, apo më pak se 3% e popullsisë u bënë pronarë të armëve për herë të parë gjatë pandemisë midis janarit dhe prillit të vitit 2021.