Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Armëpushimi i shpallur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit u lëkund brenda pak orësh, mes përshkallëzimit të sulmeve në Liban dhe tensioneve rreth Ngushticës së Hormuzit. Pretendimet kontradiktore të palëve dhe dhuna në terren e vënë në dyshim qëndrueshmërinë e marrëveshjes

Këtu do të lexoni të gjitha të rejat nga zhvillimet rreth luftës në Iran

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Iran paralajmëron “fazë të re” në menaxhimin e ngushticës së Hormuzit

1 muaj më parë / 9 pri 2026 21:12
Mojtaba Khamenei

Udhëheqësi suprem i Iranit ka deklaruar se vendi do ta çojë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit në “një fazë të re”, është thënë në një mesazh të transmetuar nga mediat shtetërore.

Kjo deklaratë që është e para nga Mojtaba Khamenei që nga shpallja e armëpushimit dyjavor thekson se Irani mbetet i vendosur “të marrë hak” për vrasjen e të atit në ditën e parë të luftës, si dhe për të gjithë ata që humbën jetën gjatë konfliktit.

Ai ka shtuar se Teherani do të kërkojë kompensim të plotë për dëmet e shkaktuara, përfshirë dëmshpërblimin për familjet e viktimave dhe të plagosurve, raportoi “The Guardian” të enjten.

“Ne do të kërkojmë kompensim për çdo dëm të shkaktuar, si dhe çmimin e gjakut për martirët dhe kompensimin për të plagosurit e kësaj lufte,” thuhet në deklaratë.

Paralajmërimi për  “fazën e re” në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës – nuk u shoqërua me detaje të mëtejshme.

Udhëheqësi iranian u bëri thirrje mbështetësve të regjimit të dalin në protesta publike, duke theksuar se “zërat e ngritur në sheshet publike ndikojnë në rezultatin e negociatave”.

Ai gjithashtu ka theksuar se Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij dhe i konsideron të gjitha frontet e rezistencës si një entitet të vetëm.

34 kilometrat më të rëndësishme në Tokë

1 muaj më parë / 9 pri 2026 20:06
Ngushtica e Hormuzit

Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli e sulmuan Iranin më 28 shkurt, Republika Islamike në shenjë hakmarrjeje mbylli Ngushticën e Hormuzit. Çmimet e derivateve fluturuan gjithandej botës – duke qartësuar si kristali rëndësinë e aj.

Ngushtica e Hormuzit është kalimi i ngushtë i ujit midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit. Përdoret për të transportuar një numër të mallrave me vlerë – më së shumti, naftë.

Rreth një e pesta e naftës që tregtohet në botë rrjedh nga kjo ngushticë çdo ditë. Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Irani janë të gjithë eksportues të mëdhenj.

Në pikën më të ngushtë, Ngushtica është e gjerë vetëm 34 kilometra.

Anijet që transportojnë mallra nëpër të duhet të ndjekin linja të ngushta për të lundruar me siguri në ujëra.

Shtetet e Gjirit janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës bruto në botë. Ato po ashtu prodhojnë sasi të mëdha të produkteve të rafinuara si benzina, nafta ose karburanti për avionë.

Një pjesë e eksportit që udhëton nëpërmjet ngushticës dërgohet në Azi. Kina, India dhe Japonia janë blerësit kryesorë. Por për shkak se çmimet e derivateve përcaktohen ndërkombëtarisht, pengimi i tyre në Lindjen e Mesme e prek gjithë botën, madje edhe në shtete të largëta që kanë burime të tyre.

Që nga nisja e luftës, kalimi i anijeve në Ngushticë ka rënë dramatikisht. Kjo sepse Irani nisi ta godiste infrastrukturën e naftës në Gjirin Persik, duke lëshuar dronë e raketa në porte dhe rafineri përgjegjëse për prodhim. Disa fusha nafte kanë ndërprerë punën, dhe ka pasur më pak mall në dispozicion për eksport.

Deri më 17 mars, Irani kishte goditur 20 tankerë direkt, por kërcënimi ka qenë i mjaftueshëm që të rriten kostot e sigurimit dhe të dekurajohen të tjerët që përpiqeshin të kalonin.

Irani i godiste caqet me dronë të lirë. Për shkak se ata mund të prodhohen në sasi të mëdha – dhe për shkak se tankerët kalojnë tejet afër bregdetit iranian – ishte e vështirë të ndaleshin.

Disa tubacione në rajon mund të anashkalojnë këtë ngushticë, por kapaciteti i tyre është i kufizuar.

Rënia e furnizimit me naftë nënkupton çmime më të larta kudo në botë. Kjo u përshtatet shteteve të tjera prodhuese, si Rusia, por lajmi i keq është për klientët. Evropa paguan gjithnjë më lartë për shkak të taksave, ndërsa në SHBA si eksportues i madh i naftës çmimi ka mbërritur më shumë se një dollarë për litër gaz.

Sipas një sondazhi të fundit, 45 për qind e amerikanëve janë “ekstremisht” ose “shumë” të shqetësuar që nuk do të jenë në gjendje të furnizohen muajt e ardhshëm.

Disa rezerva strategjike të naftës janë lëshuar për ta lehtësuar presionin, por masa është e përkohshme. Ndikimi i ndërprerjes së furnizimit do të varet nga sa ajo do të zgjasë.

Irani s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë të kalojnë nëpër Hormuz

1 muaj më parë / 9 pri 2026 15:34
Ngushtica e Hormuzit

Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë që të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes së armëpushimit të dakorduar me SHBA-në, përcjell The Guardian nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”. 

Ngushtica 34 kilometra e gjerë mes Iranit dhe Omanit ofron kalim nga Gjiri Persik në Oqeanin Indian dhe është rruga kryesore për një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe mallra të tjera. 

Ajo ishte mbyllur nga Irani që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, duke çuar në ngritje të çmimeve të naftës në botë. Marrëveshja e armëpushimit të mërkurën mes SHBA-së dhe Iranit, parashihet rihapjen e Ngushticës, por pas vazhdimit të bombardimit të Libanit nga Izraeli, ajo është mbyllur. 
 

Kryeparlamentari i Iranit paralajmëron "përgjigje të ashpra" kundër sulmeve në Liban

1 muaj më parë / 9 pri 2026 14:52
Mohammad Bagher Qalibaf

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, në një shkrim në X paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj Hezbollahut në Liban do të sillnin "kosto të qarta dhe përgjigje të ashpra".

Ashtu si zyrtarë të tjerë iranianë, Qalibaf këmbënguli që armëpushimi dyjavor të shtrihej në Liban, diçka që u refuzua si nga Izraeli ashtu edhe nga SHBA-ja.

"Shkeljet e armëpushimit sjellin përgjigje të qarta dhe të FORTA", shkroi ai. "Ndaleni zjarrin menjëherë".

Qalibaf është diskutuar si kryenegociator i mundshëm që mund të takohet me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance këtë fundjavë për bisedime në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

 

Franca thotë se partnerët po finalizojnë planet për të shoqëruar anijet në Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 9 pri 2026 13:44
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se partnerët evropianë dhe të tjerë po "finalizojnë" planet për të ngritur një mision për të shoqëruar anijet në Ngushticën e Hormuzit, sapo të mbarojnë luftimet në mënyrë efektive.

Duke folur për mediat franceze, Barrot tha se "planifikimi për këtë mision po finalizohet aktualisht midis zyrtarëve ushtarakë francezë dhe vendeve që janë ofruar vullnetarisht".

Trafiku detar ka të ngjarë të lëvizë nëpër ngushticë në mënyrë të sigurt sapo të arrihet një marrëveshje midis palëve ndërluftuese dhe "me një sistem shoqërimi", tha ai.

Të mërkurën, presidenti francez Emmanuel Macron tha se rreth 15 shtete janë gati të marrin pjesë në një mision të tillë.
 

Izraeli nis sulme të reja në Liban

1 muaj më parë / 9 pri 2026 11:59
Liban

Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban të enjten, duke e vënë armëpushimin në Lindjen e Mesme në rrezik të mëtejshëm, pas sulmeve të tij më të mëdha të luftës ndaj fqinjit gjatë së mërkurës ku u vranë më shumë se 250 njerëz.

Sulmet izraelite goditën qytete në të gjithë jugun të enjten në mëngjes, thanë mediat shtetërore libaneze.

Nga ana e saj, Hezbollahu, i cili fillimisht kishte thënë se do të ndalonte sulmet ndaj Izraelit në përputhje me armëpushimin, tha se do t'i rifillonte ato të enjten në mëngjes duke kryer sulm përtej kufirit në Izrael si dhe ndaj forcave izraelite në Libanin jugor.

Negociatorët iranianë pritej të niseshin më vonë të enjten për në Pakistan për bisedimet e para të paqes pas luftës, ku do të takohen me një delegacion të udhëhequr nga zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance të shtunën.

Por Irani vazhdon ta mbajë të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, e cila ka shkaktuar ndërprerjen më të keqe të furnizimit global me energji në histori. Teherani tha se nuk do të kishte marrëveshje për sa kohë që Izraeli do të vazhdonte të sulmonte Libanin.

Izraeli, i cili pushtoi Libanin muajin e kaluar paralelisht me luftën kundër Iranit për të çrrënjosur grupin e armatosur Hezbollah, aleatin e Teheranit, thotë se veprimet e tij atje nuk mbulohen nga armëpushimi i shpallur të martën vonë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Washingtoni ka thënë gjithashtu se Libani nuk mbulohet nga armëpushimi, por Irani dhe Pakistani, të cilët vepruan si ndërmjetës, thonë se Libani ishte pjesë e marrëveshjes.

Një numër i madh vendesh, përfshirë aleatët e shquar të SHBA-së, Britaninë dhe Francën, thanë se armëpushimi duhet të shtrihet në Liban si dhe dënuan sulmet e Izraelit ndaj saj.
 

Italia po punon për ta rivendosur lirinë e lëvizjes nëpër Hormuz

1 muaj më parë / 9 pri 2026 11:34
Giorgia Meloni

Photo: Associated Press

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të enjten se rivendosja e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit ishte me interes jetik për vendin e saj dhe Bashkimin Evropian, ndërsa u zotua të bashkëpunojë me partnerët për të arritur këtë qëllim.

Pas sulmeve SHBA-Izrael, Irani kufizoi trafikun përmes Ngushticës për të ushtruar presion mbi armiqtë e tij, në një veprim që rriti çmimet e energjisë, pasi rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë kalon nëpër këtë rrugë të ngushtë ujore. Si pjesë e propozimeve të tij për t'i dhënë fund luftës, Teherani dëshiron të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

"Nëse Irani do të arrinte të merrte autoritetin për të aplikuar tarifa shtesë për tranzitet nëpër Ngushticë, kjo mund të çonte në pasoja ekonomike dhe ndryshime në flukset tregtare", tha Meloni në dhomën e ulët të parlamentit.

"Ne tashmë po punojmë me koalicionin e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për Ngushticën e Hormuzit, i cili përfshin më shumë se 30 vende, për të provuar të ndërtojmë kushte sigurie që lejojnë rivendosjen e plotë të lirisë së lundrimit dhe furnizimit", shtoi ajo.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha të mërkurën se Italia nuk do të dërgonte asnjë anije për të patrulluar zonën në mungesë të një mandati nga OKB-ja.

Meloni dënoi të gjitha shkeljet e marrëveshjes dyjavore të armëpushimit të arritur midis SHBA-së dhe Iranit në fillim të kësaj jave.

Ajo gjithashtu i kërkoi Izraelit të ndërpresë operacionet ushtarake në Liban dhe, me partitë opozitare që e akuzojnë se është shumë e afërt me presidentin Donald Trump, përsëriti kundërshtimin e saj ndaj vendimit të SHBA-së për të sulmuar Iranin.

"Jemi shumë pranë pikës së moskthimit, por tani përballemi me një perspektivë të brishtë paqeje që duhet të ndiqet me vendosmëri", tha Meloni.

 

Përfshirja e Libanit në armëpushim, BE: Sulmet e Izraelit atje vështirë se justifikohen si vetëmbrojtje

1 muaj më parë / 9 pri 2026 11:30
kallas

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i është bashkuar një numri zyrtarësh që kanë bërë thirrje që armëpushimi SHBA-Iran të zgjerohet edhe në Liban. 

Kallas ka deklaruar se veprimet e Izraelit po e vënë armëpushimin SHBA-Iran nën presion të rëndë. 

“Hezbollahu e përfshiu Libanin në luftë, por e drejta e Izraelit për ta mbrojtur veten nuk justifikon shkaktimin e një shkatërrimi kaq masiv. Sulmet e Izraelit kanë vrarë qindra njerëz mbrëmë, duke e bërë të vështirë të argumentohet se veprime të tilla kaq të rënda hyjnë në kornizën e vetëmbrojtjes”, ka thënë ajo. 

Kallas ka shtuar se pajtohet se Hazbollahu duhet të çarmatoset, dhe se BE-ja mbështet përpjekjet e Libanit për çarmatimin e tij.
 

Franca dhe Britania kërkojnë përfshirjen e Libanit në marrëveshjen për armëpushim

1 muaj më parë / 9 pri 2026 10:35
liban

Franca dhe Britania po kërkojnë që Libani të përfshihet në marrëveshjen për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit. 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dënoi ato që i përshkroi si sulme "pa dallim" nga Izraeli në Liban. Ai ka thënë se ka folur me presidentin dhe kryeministrin libanez dhe shprehu solidaritetin e plotë të Francës përballë sulmeve vdekjeprurëse, të cilat Izraeli tha se kishin në shënjestër më shumë se 100 qendra komande dhe vende ushtarake të grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.

Sulmet "përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë e armëpushimit që sapo është arritur", shkroi Macron në një postim në X, duke shtuar se Libani duhet të futet në marrëveshje. 

Ai shtoi se ia përcolli këtë mesazh edhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, raportoi SkyNews. 

"U thashë të dyve se vendimi i tyre për të pranuar një armëpushim ishte më i miri i mundshëm. Shpreha shpresën time se armëpushimi do të respektohet plotësisht nga secila prej palëve ndërluftuese, në të gjitha fushat e konfrontimit, përfshirë në Liban. Ky është një kusht i domosdoshëm që armëpushimi të jetë i besueshëm dhe i qëndrueshëm", theksoi ai. 

Kurse, ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, pritet që në fjalimin e saj vjetor mbi prioritetet e politikës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, do të bëjë thirrje gjithashtu që Libani të përfshihet në marrëveshjen e armëpushimit.

Pakistani - i cili ndërmjetësoi armëpushimin SHBA-Iran - fillimisht tha se Libani ishte përfshirë në marrëveshje. Por Izraeli tha se nuk ishte dhe vazhdoi me sulmet ajrore, duke vrarë qindra persona të mërkurën. 

E, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, po zhvillon vizitë në Abu Dhabi për bisedime mbi rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.


 

Ambasadori iranian e fshin postimin për bisedimet që priten të mbahen të shtunën me SHBA-në

1 muaj më parë / 9 pri 2026 10:26
Reza Amiri Moghadam

Ambasadori i Iranit në Pakistan e ka fshirë postimin në rrjete sociale për bisedimet e ardhshme në Islamabad.

Reza Amiri Moghadam pati shkruar se delegacioni iranian do të shkonte në Islamabad të enjten mbrëma për “bisedime serioze”.

Por, më vonë ai e ka fshirë atë postim, pa shkruar diçka tjetër, raportoi SkyNews. 

Kjo vjen pas tensioneve për shkak të përmbajtjes së marrëveshjes për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit. SHBA-ja ka thënë se ekzistojnë tri propozime 10-pikëshe të ndryshme, në asnjë prej të cilave nuk parashihet edhe ajo për armëpushim në Liban. E, Irani ka deklaruar se Libani është pjesë e marrëveshjes. Libani është përballur me sulme masive të vazhdueshme nga Izraeli të mërkurën – dita që llogaritej e para e armëpushimit.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance pritet të kryesojë delegacionin amerikan për bisedimet e së shtunës.

“Në asnjë mënyrë nuk i besojmë Amerikës”, iranianët dyshojnë në armëpushim

1 muaj më parë / 9 pri 2026 09:39
iran

Photo: Associated Press

Videot nëpër rrugët e Teheranit të mërkurën treguan turma njerëzit të mbledhur, disa me flamuj iranianë, në sheshin Enqelab, një qendër për tubimet pro-qeveritare gjatë 40-ditëve të luftës.

Në mesin e tyre kishte ndjenja të përziera.

Majid Nouri, djali i një ish-të burgosuri famëkeq iranian, i cili xhiroi disa prej momenteve pas shpalljes së armëpushimit SHBA-Iran, tha se kryesisht njerëzit ishin të tronditur e të mërzitur, raportoi The Guardian. 

Sipas tij, turmat nuk kishin pritur një armëpushim.

“Zemërimi fillestar do të kalojë dhe mendoj se atmosfera do të bëhet shumë më e mirë. Në asnjë mënyrë nuk i besojmë Amerikës. Nuk mendoj se ka një iranian që i beson Amerikës. Dhe me vullnetin e Zotit fitorja është e jona”, ka thënë ai.

Raportimet e mëvonshme thanë se njerëzit që dolën të mërkurën brohorisnin: “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, vdekje ndërmjetësuesve”. Organizatorët në një pikë tentuan t’i qetësonin protestuesit, por ata vazhduan thirrjet. Njerëzit dogjën flamujt amerikanë dhe izraelitë.

Skenat nga 8 prilli treguan zemërimin nga mbështetësit e linjës së ashpër të cilët janë përgatitur për atë që shumë thonë se do të ishte beteja vendimtare, teksa presidenti amerikan kërcënoi se “një civilizim i tërë do të vdesë”. Të paktën 1,900 persona janë vrarë në Iran deri tash.

Me shkëputjet e internetit është e vështirë që të shihet gjendja e njerëzve në Iran në përgjithësi. Por, në disa pjesë të Teheranit u kapën disa festime pas arritjes së armëpushimit. As kjo nuk u pa se zgjati shumë, pasi kryesisht dallohej një optimizëm minimal dhe mosbesim për armëpushimin.

“Shumica e njerëzve këtu nuk i besojnë SHBA-së dhe ende nuk e dinë çfarë do të ndodhë, kështu që nuk janë të sigurt a duhet të jenë të lumtur apo të shqetësuar”, ka thënë një 31-vjeçar në Teheran.

Jeta u duk se rinisi mëngjesin e së mërkurës në Teheran, ku më shumë dyqane u hapën, më shumë automjete dolën rrugëve dhe më shumë njerëz dolën jashtë.

Kalojnë 24 orë nga armëpushimi i shpallur, trafiku nëpër Hormuz minimal

1 muaj më parë / 9 pri 2026 09:13
Ngushtica e Hormuzit

Foto nga arkivi

Photo: Associated Press

Qarkullimi i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet minimale pas mbi 24 orëve pasi presidenti amerikan shpalli armëpushimin dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.

Mëngjesin e së enjten, të dhënat nga “MarineTraffic” kanë treguar një grumbull të madh të anijeve të ankoruara në Gjirin Persik.

Sipas të dhënave të një dite më parë, mbi 400 anije kanë mbetur në rajon.

Presidenti Donald Trump ka thënë se ngushtica do të ishte “e hapur dhe e sigurt”. Por, më pas Garda Revolucionare Islamike pretendoi se kalimi i anijeve nëpërmjet ngushticës kishte ndaluar pas bombardimeve të Izraelit në Liban, të cilin Irani e ka quajtur shkelje të armëpushimit.

Që kur u shpall armëpushimi, një numër i vogël i anijeve kanë kaluar nëpër ngushticë.

Hezbollahu lëshon raketat e para në Izrael që nga armëpushimi

1 muaj më parë / 9 pri 2026 08:10
Izrael

Arkiv

Photo: Associated Press

Hezbollahu ka thënë të enjten herët se ka goditur me raketa Izraelin verior në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga Izraeli, në sulmin e tij të parë që nga arritja e marrëveshjes, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Ushtria izraelite goditi Libanin të mërkurën, duke synuar më shumë se 100 objektiva në vetëm 10 minuta në sulmet e saj më të mëdha të koordinuara që nga fillimi i luftës, sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Të paktën 182 persona u vranë në sulme dhe gati 900 u plagosën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit.

Administrata amerikane dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thanë se armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit nuk përfshin operacionet kundër Hezbollahut në Liban.

Megjithatë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretenduan se transporti detar përmes Ngushticës kritike të Hormuzit u ndal pas asaj që e quajti një shkelje të armëpushimit nga Izraeli në Liban.