Hakerët kanë krijuar një tollovi masive në kryeqytetin rus, Moskë, të premten.
Hakerët kanë ndërhyrë në aplikacionin e kompanisë ndërkombëtare të taksit “Yandex”, duke dërguar një numër të madh të veturave të kompanisë në një zonë të caktuar.
Më 1 shtator, u shfaqën shumë ankesa të shoferëve pasi panë një grumbullim të pazakontë taksish në zonën perëndimore të kryeqytetit rus.
Ajo që ndodhi ishte se sulmuesit porositën të gjitha taksitë e disponueshme në një adresë të caktuar, dhe pasoi një bllokim i paparë trafiku, pasi dhjetëra shoferë të "Yandex" mbetën të bllokuar për shkak të vendndodhjes së saktë.
Sipas Forbes Rusia, taksitë u drejtuan në një nga rrugët kryesore në Moskë, Kutuzovsky Prospekt, i cili njihet gjerësisht për ndërtesën e epokës staliniste të quajtur “Hotel Ukraina”.
Bllokimi i trafikut zgjati tri orë. Ekipi i sigurisë i Yandex adresoi shpejt bllokimin dhe premtoi të përmirësonte algoritmin për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen.
“Anonymous” ka marrë përgjegjësinë për sulmin kibernetik. Në një bisedë ekskluzive me Hackread.com, një nga grupet aktive të Twitter-it që trajton TV Anonim tha se sulmi u krye nga anonimë në bashkëpunim me ushtrinë IT të Ukrainës.