Nëse di të bësh CPR, ka shumë gjasa që të kesh ushtruar mbi një manekin që u krijuar bazuar në tiparet e fytyrës së një gruaje, e cila, sipas legjendës, u mbyt në lumin Sena të Parisit.
Në fund të viteve 1950, prodhuesi norvegjez i lodrave, Asmund Laerdal, mori një kërkesë të pazakontë: të krijonte një manekin sa më të ngjashëm me një pacient të pavetëdijshëm.
Peter Safar, një mjek austriak, sapo kishte zhvilluar bazat e teknikës së CPR-së (reanimacion kardiopulmonar), një metodë që shpëton jetë duke mbajtur gjakun dhe oksigjenin në qarkullim drejt trurit dhe organeve jetësore, pasi zemra ndalon së rrahuri.
Ai donte ta mësonte këtë teknikë te publiku, por kishte një problem, shtypjet e forta në kraharor shpesh çonin në fraktura brinjësh, ndaj demonstrimet praktike ishin të pamundura.
Gjatë kërkimit për një zgjidhje, ai u njoh me Laerdalin, një shpikës i guximshëm në të dyzetat, që kishte njohuri të gjera mbi plastikat e buta, për shkak të përvojës së tij shumëvjeçare në prodhimin e lodrave për fëmijë dhe makinave model.
Ai madje kishte filluar të bashkëpunonte me Mbrojtjen Civile Norvegjeze për të krijuar plagë false për trajnim.
Laerdal, i cili disa vite më parë kishte shpëtuar të birin nga mbytja duke i ushtruar presion në kraharor për t’i nxjerrë ujin nga mushkëritë, ishte shumë i motivuar për të ndihmuar. Kështu, të dy vendosën të krijonin një model trajnimi.
Laerdal kishte një vizion: manekini duhej të dukej i padëmshëm dhe, duke supozuar se burrat nuk do të dëshironin të praktikonin frymëmarrje artificiale në një manekin mashkull, vendosi që ai të ishte femër.
Prandaj nisi të kërkonte për një fytyrë të përshtatshme.
Gruaja e panjohur e Senës
Në murin e shtëpisë së prindërve të bashkëshortes së tij, në qytetin piktoresk të Stavangerit në Norvegji, ai pa diçka që i bëri përshtypje.
Ishte një pikturë vaji e një vajze të re, me flokët e ndarë në mes dhe të mbledhur pas kokës. Sytë e saj ishin të mbyllur qetësisht, qerpikët e lagur dhe buzët të formuara në një buzëqeshje të lehtë, plot trishtim.
Kjo ishte një fytyrë që kishte zbukuruar shtëpi në mbarë Evropën për dekada.
Ka shumë thashetheme rreth mënyrës se si u krijua maska origjinale, por një histori që është bërë legjendë urbane thotë se ishte e një gruaje që u mbyt në lumin Sena në Parisin e shekullit të 19-të.
Në atë kohë, në kryeqytetin francez, ishte e zakonshme që trupat e të vdekurve që nuk identifikoheshin, të vendoseshin mbi pllaka mermeri të zinj dhe të ekspozoheshin në dritaret e morgut të qytetit pranë Katedrales Notre Dame.
Qëllimi i kësaj praktike ishte që qytetarët të mund t’i shikonin dhe të ndihmonin në identifikimin e tyre. Por, në realitet, kjo u kthye në një tërheqje makabre për parisienët.
Sipas legjendës, një patolog, i impresionuar nga bukuria dhe shprehja e qetë e fytyrës së saj, urdhëroi një skulptor që t’i merrte një kallëp fytyrës së saj, dhe të krijonte një “maskë vdekjeje”- një formë suva apo dylli e fytyrës së gruas së vdekur.
Nuk ekzistojnë dokumente në arkivat e policisë së Parisit që ta vërtetojnë këtë histori, prandaj nuk është e sigurt nëse është e vërtetë.
Megjithatë, një skulpturë e kësaj maske vdekjeje magjepsi publikun dhe kopjet e saj filluan të përhapen në fillim të shekullit të 20-të.
Fytyra e saj filloi të zbukuronte sallonet e Parisit dhe shtëpitë e të pasurve.
Ajo u bë e njohur si L’Inconnue de la Seine - Gruaja e Panjohur e Senës dhe u kthye në muzë për shkrimtarë, poetë dhe artistë.
Shkrimtari francez Albert Camus e quajti atë “Mona Lisa e mbytur”, ndërsa poeti austriak Rainer Maria Rilke tha për shprehjen e saj të qetë:
“Ishte e bukur, sepse buzëqeshte, sepse buzëqeshte në mënyrë mashtruese, si të dinte diçka”.
“Resusci Anne”
Nuk dihet me siguri nëse Laerdal ishte në dijeni të legjendës që qëndronte pas portretit në shtëpinë e prindërve të gruas së tij në Stavanger.
Megjithatë, në vitin 1960, ai i dha asaj fytyre një jetë të re, kur manekini i parë për reanimacion kardiopulmonar (CPR) u prezantua zyrtarisht, duke përdorur pikërisht atë imazh.
Manekini u krijua me një bust të butë plastik - një kraharor që mund të shtypej për të praktikuar shtypjet e CPR-së dhe me buzë të hapura për të mundësuar frymëmarrjen artificiale gojë më gojë.
Ajo filloi të udhëtonte nëpër botë, duke u bërë pjesë e trajnimeve të emergjencës në stacione zjarrfikësish, shkolla, spitale dhe qendra trajnimi të linjave ajrore. Kudo ku kishte nevojë për trajnim të specializuar, Annie ishte aty.
Në fund, manekini mori edhe një emër zyrtar: “Resusci Anne”, i zgjedhur nga vetë Laerdali. Ky emër vjen nga shkurtimi i fjalës angleze “resuscitation” (ringjallje).
“Anne” është një emër femëror i përhapur si në Norvegji ashtu edhe në Francë, gjë që lë të kuptohet se, në këtë pikë, Laerdal ndoshta tashmë dinte për historinë e trishtë dhe misterioze që fshihej pas fytyrës së manekinit.
Në vendet anglishtfolëse, ajo u bë e njohur si “CPR Annie”.
Një fjali që përdorej zakonisht gjatë trajnimeve ishte:
“Annie, je mirë?” - për të simuluar mënyrën sesi duhet kontrolluar vetëdija e një personi në rast arresti kardiak.
Kjo frazë e thjeshtë u bë simbolike në botën e trajnimit për dhënien e ndihmës së parë.
Në vitet 1980, afro një shekull pasi Annie thuhet se ishte gjetur në brigjet e Senës, ajo u përjetësua edhe në kulturën popullore nga një prej figurave më ikonike të muzikës - Michael Jackson.
Sipas rrëfimeve, gjatë një seance trajnimi për ndihmën e parë, këngëtari dëgjoi frazën “Annie, are you OK?” dhe u magjeps nga ritmi dhe urgjenca që ajo përcillte.
E frymëzuar nga kjo frazë, ajo u inkorporua në këngën e famshme “Smooth Criminal”, ku ajo përsëritet në mënyrë ritmike, si një rrahje zemre:
“Annie, are you OK? So, Annie, are you OK? Are you OK, Annie?”
“Ajo do të ishte krenare”
Asmund Laerdal ndërroi jetë në vitin 1981, por kompania që ai themeloi, “Laerdal Medical”, vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë një udhëheqëse globale në fushën e trajnimit emergjent mjekësor dhe në zhvillimin e teknologjive më të avancuara në shëndetësi.
Vetë Annie, ndërkohë, ka pësuar shumë përmirësime teknologjike me kalimin e viteve.
Tani ajo përfshin drita sinjalizuese, sistem reagimi për funksionimin e mushkërive dhe sensorë që tregojnë nëse shtypjet e kraharorit po bëhen në ritmin dhe thellësinë e duhur.
Por, ajo që ka mbetur e pandryshuar është fytyra e saj e qetë dhe enigmatike, që vazhdon të prekë zemrat e miliona njerëzve.
Pal Oftedal, drejtori i Komunikimit në “Laerdal Medical”, shprehet se pavarësisht nëse historia pas fytyrës së Annie është e vërtetë apo thjesht legjendë, ajo ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në sensibilizimin dhe angazhimin e njerëzve në mbarë botën për të mësuar teknikat e shpëtimit të jetës përmes CPR-së.
Ai thekson se 1 në 20 njerëz, gjatë jetës së tyre, do të jenë dëshmitarë të një arresti kardiak – dhe se 70% e rasteve ndodhin jashtë mjedisit spitalor.
Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, fillimi i menjëhershëm i CPR-së mund t’i dyfishojë ose edhe trefishojë shanset për mbijetesë të një personi që pëson arrest kardiak.
Sot, Annie nuk është më e vetmja. Ajo është bashkuar me një koleksion të ri manekinësh, të cilët përfaqësojnë etni të ndryshme, moshë të ndryshme, përmasa të trupit të ndryshme dhe tipare të ndryshme të fytyrës, si pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të ofruar produkte më gjithëpërfshirëse dhe realiste.
“Laerdal Medical” vlerëson se Annie dhe manekinët e tjerë për reanimacion janë përdorur për të trajnuar mbi 500 milionë njerëz në mbarë botën - një shifër që pasqyron ndikimin e jashtëzakonshëm të kësaj shpikjeje modeste por jetike.
Pal Oftedal e përmbyll me një mesazh të ndjerë:
“Kushdo që ajo mund të ketë qenë në të vërtetë, jam i bindur se ajo do të ishte krenare për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në shpëtimin e jetëve në të gjithë botën”.