Botë

Anas Al-Sharif ishte fytyra e luftës në Gazë për miliona njerëz

Anas Al-Sharif

Gazetari palestinez i transmetuesit “Al Jazeera”, Anas Al-Sharif, ishte kthyer në simbol të raportimit dhe dokumentimit të guximshëm të ngjarjeve nga zonat më të rrezikshme të konfliktit në Rripin e Gazës, si në botën arabe njashtu edhe në nivelin ndërkombëtar. Mirëpo, jeta e tij u ndërpre para kohe si rezultat i sulmeve të Ushtrisë izraelite mbi një tendë të gazetarëve pranë Spitalit Al-Shifa. Al-Sharif u varros të hënën në Gazë, gjatë ceremonisë mortore që mblodhi turma të mëdha palestinezësh të pikëlluar. Duke e parashikuar vdekjen, Al-Sharif kishte shkruar një testament që u publikua nga kolegët e tij pas vrasjes. “Mos e harroni Gazën… dhe mos më harroni në lutjet tuaja të sinqerta për falje dhe pranueshmëri”, thuhet në fund të testamentit

(CNN) – Teksa armëpushimi i mëparshëm në Rripin e Gazës hyri në fuqi në fillim të këtij viti, gazetari palestinez, Anas Al-Sharif, filloi të hiqte pajisjet mbrojtëse drejtpërsëdrejti në televizion, pjesë pas pjese, përderisa turma e entuziazmuar brohoriste, me shpresën se ajo ditë shënonte fundin e vuajtjeve për 2 milionë palestinezët e enklavës.

Gati shtatë muaj më vonë, Ushtria izraelite e vrau gazetarin e Al Jazeeras dhe katër kolegët e tij përmes një sulmi në qytetin e Gazës.

Njëri nga gazetarët palestinezë më të njohur në Gazë – si dhe njëri nga dhjetëra të vrarët nga Izraeli gjatë luftës – vdekja e Al-Sharifit ka nxitur reagim të ashpër ndërkombëtar dhe thirrje për përgjegjësi.

28-vjeçari u bë i njohur si fytyra e rrëfimit të Gazës për miliona njerëz, në kohën kur Izraeli e kishte ndaluar qasjen e mediave ndërkombëtare në territor. Gati i panjohur para luftës, ai u kthye shpejt në emër të njohur në botën arabe për raportimet e tij të përditshme mbi konfliktin dhe pasojat humanitare.

Raportimet e tij ofronin dëshmi të drejtpërdrejta për momentet kyç të konfliktit, përfshirë armëpushimet afatshkurtra, lirimin e pengjeve izraelite dhe histori rrëqethëse për urinë që kanë tronditur mbarë botën.

Al Jazeera e kishte rekrutuar Al-Sharifin në dhjetorin e 2023-tës, pasi pamjet nga sulmet izraelite në qytetin e tij të lindjes, Jabalya, të publikuara prej vetë Al-Sharifit në rrjetet sociale u bënë virale. Në atë kohë kameraman profesionist, ai kishte hezituar fillimisht të dilte në ekran, porse kolegët e bindën që të paraqiste vetë raportimet – përvojë të cilën ai e ka cilësuar si “të papërshkrueshme”.

“Nuk kisha dalë asnjëherë në ndonjë kanal lokal, e lëre më në nivel ndërkombëtar”, është cituar të ketë thënë ai për median “Sotour” në muajin shkurt. “Personi që ishte më i lumturi, ishte babai im i ndjerë”.

Babai i tij u vra nga sulmet ajrore izraelite në qytetin e Jabalyas, pak pasi Al-Sharifi kishte filluar të shfaqej në “Al Jazeera”.

Si baba i dy fëmijëve, ai u paraqit pothuajse çdo ditë në kanalin televiziv që prej ditës kur e filloi punën.

“Ne (gazetarët) flinim në spitale, në rrugë, në makina, në ambulanca, në strehimore, në depo, bashkë me të zhvendosurit. Kam fjetur në 30 deri në 40 vende të ndryshme”, kishte thënë ai për “Sotour”.

Pasi i hoqi pajisjet mbrojtëse drejtpërdrejt në transmetim gjatë muajit janar, turma e ngriti mbi supe nga gëzimi.

“Po e heq helmetën që më lodhi dhe këtë jelek që është bërë si pjesë e trupit tim”, pati thënë ai asokohe në Al Jazeera, teksa nderonte kolegët e vrarë dhe të plagosur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

Raportimet e Al-Sharifit e tërhoqën vëmendjen e Ushtrisë izraelite, e cila, sipas tij, e kishte paralajmëruar që të ndalonte punën për Al Jazeeran – rrjet ky që i kishte humbur tashmë disa anëtarë të stafit nga lufta izraelite në Gazë, përfshirë Ismail Al Ghoul, i vrarë vitin e kaluar, dhe Hossam Shabat, i vrarë në mars.

“Në fund, (ushtria izraelite) më dërgoi mesazhe zanore në numrin tim të WhatsAppit…oficeri i inteligjencës më tha… ‘ke ende kohë për t’u larguar nga vendi ku je, shko në jug dhe ndalo së raportuari për Al Jazeeran’… po raportoja drejtpërdrejt nga një spital”, kishte rikujtuar ai. “Pak minuta më vonë, dhoma nga e cila po raportoja u godit”.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN-it për koment.

Pse tani?

Izraeli e kishte akuzuar për herë të parë Al-Sharifin për lidhje me Hamasin para 10 muajsh. Por, pyetja se pse vendosi ta shënjestrojë tani, mbetet ende e paqartë.

Në deklaratën që e konfirmonte vrasjen e tij, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e kanë akuzuar Anas Al-Sharifin për drejtimin e një celule të Hamasit në Gazë, e cila, sipas tyre, kishte organizuar “sulme me raketa ndaj civilëve izraelitë dhe forcave të IDF-së”.

Në tetorin e 2024-tës, ushtria izraelite kishte publikuar dokumente që aludonte se përbënin “prova të pakundërshtueshme” për lidhjet e Al-Sharifit me Hamasin dhe identifikoi pesë gazetarë të tjerë të Al Jazeeras që, sipas saj, ishin pjesë e grupit militant.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite kishte thënë përmes një videoje në rrjetin social X se Al-Sharifi iu bashkua Hamasit në vitin 2013 dhe u plagos gjatë stërvitjes në vitin 2017 – akuzë kjo që u mohua nga vetë gazetari dhe nga Irene Khan, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për lirinë e shprehjes.

“E ritheksoj: Unë Anas Al-Sharif jam gazetar pa asnjë lidhje politike. Misioni im i vetëm është të raportoj të vërtetën nga terreni – ashtu siç është, në mënyrë të paanshme”, kishte shkruar ai muajin e kaluar. “Në kohën kur uria vdekjeprurëse po e shkatërron Gazën, të thuash të vërtetën është kthyer, në sytë e okupatorit, në kërcënim”.

Pas vrasjes së gazetarit, zëdhënësi në gjuhën arabe i IDF-së ka publikuar disa fotografi të Al-Sharifit me Yahya Sinwarin, ish-udhëheqësin e Hamasit, i cili besohet se ishte arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023, që la të vdekur rreth 1,200 persona në Izrael dhe afërsisht 250 të marrë peng. Ushtria izraelite e kishte eliminuar Sinwarin në tetorin e vitit 2024.

Al-Sharif ndodhej brenda një tende së bashku me gazetarët e tjerë pranë hyrjes së Spitalit Al-Shifa kur e humbi jetën të dielën, sipas drejtorit të spitalit, dr. Mohammad Abu Salmiya.

Tenda ishte e shënuar me një tabelë “Press”, ka thënë Abu Salmiya për CNN-in. Sipas tij, si rezultat i sulmit mbetën të vrarë të paktën shtatë persona.

Në Al Jazeera kanë njoftuar se në të njëjtin sulm u vranë edhe korrespondenti Mohammed Qreiqeh dhe fotoreporterët Ibrahim Al Thaher dhe Moamen Aliwa, si dhe Mohammed Noufal, tjetër anëtar i stafit.

“Modeli i njëjtë i akuzave ndaj gazetarëve”

Vrasja e Al-Sharifit ka nxitur kritika dhe reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe zyrtarët ndërkombëtarë. Në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) janë shprehur “të tronditur” dhe kanë shtuar se Izraeli ka “një model të dokumentuar prej kohësh të akuzimit të gazetarëve si terroristë pa paraqitur ndonjë provë konkrete”.

Përfaqësuesit e këtij komiteti kanë njoftuar po ashtu se 192 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës gati dy vjet më parë, tek kanë theksuar se “184 prej këtyre gazetarëve janë palestinezë të vrarë nga Izraeli”.

Që nga fillimi i luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gazë për të raportuar në mënyrë të pavarur.

Vetëm pak orë para sulmit që e la të vrarë Al-Sharifin dhe kolegët e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se gazetarët e huaj do të lejohen të hyjnë në Gazë, por vetëm me miratimin e Ushtrisë izraelite dhe të shoqëruar prej saj — e njëjta politikë që ka qenë në fuqi që nga fillimi i luftës.

Al-Sharifi u varros të hënën në Gazë gjatë ceremonisë mortore që mblodhi turma të mëdha palestinezësh të pikëlluar.

Duke e parashikuar vdekjen, Al-Sharifi kishte shkruar paraprakisht një testament që u publikua nga kolegët e tij pas rastit tragjik.

“Kam përjetuar dhimbjen në të gjitha detajet e saj, kam provuar vuajtje dhe humbje shumë herë, por kurrë nuk u hezitova të transmetoj të vërtetën ashtu siç është, pa shtrembërim apo falsifikim… Nëse vdes, vdes i palëkundur në parimet e mia”, kishte shkruar ai.

“Mos e harroni Gazën… dhe mos më harroni në lutjet tuaja të sinqerta për falje dhe pranueshmëri”, thuhet në fund të testamentit.