Joshja për vizitorët e huaj është e fortë. Vetë Kina është një destinacion jashtëzakonisht popullor dhe Xinjiang është shfaqur si një opsion “i paprekur”, më pak i komercializuar. Një numër gjithnjë e në rritje i të huajve po “i afrohen Xinjiangut me mendje të hapura dhe një dëshirë të sinqertë për të parë dhe vlerësuar vetë”, shkroi gazeta shtetërore e Kinës, “Global Times”, në maj.
Kur Anna po planifikonte vizitën e saj të parë në Xinjiang në vitin 2015, miqtë e saj ishin të hutuar.
“Ata nuk mund ta kuptonin pse do të vizitoja një vend që në atë kohë konsiderohej një nga zonat më të rrezikshme të Kinës”, thotë ajo.
Një nga miqtë e saj u tërhoq nga udhëtimi, tha shtetasja 35-vjeçare kineze, e cila nuk donte të zbulonte emrin e saj të vërtetë.
“Ajo tha se prindërit e saj e ndaluan të shkonte pranë Xinjiangu”.
Mirëpo, Anna shkoi gjithsesi dhe u kthye këtë qershor. Por gjithçka kishte ndryshuar, thotë ajo.
“Xinjiang ishte aq i bukur sa e mbaj mend, por tani ka shumë turistë, veçanërisht në atraksionet kryesore”.
Për vite me radhë, Xinjiang ishte përfshirë nga sundimi i Pekinit, ndonjëherë duke shpërthyer në dhunë, gjë që i mbante larg shumë turistët nga vende tjera të Kinës. Pastaj u bë famëkeq për disa nga akuzat më të këqija të autoritarizmit kinez, nga ndalimi i më shumë se një milion myslimanëve ujgurë në të ashtuquajturat “kampe riedukimi”, deri te pretendimet e Kombeve të Bashkuara për krime kundër njerëzimit.
Kina i mohon akuzat, por rajoni është kryesisht i izoluar dhe nuk kanë qasje mediat apo vëzhguesit ndërkombëtarë, ndërsa ujgurët në mërgim vazhdojnë të tregojnë histori të të afërmve të tmerruar ose të zhdukur.
E megjithatë, vitet e fundit, Xinjiang është shfaqur si një destinacion turistik - brenda Kinës dhe, gjithnjë e më shumë, jashtë vendit. Pekini ka investuar miliarda dollarë për ta zhvilluar infrastrukturën dhe herë pas here ka mirëpritur mediat e huaja në turne të orkestruara me kujdes.
Shtrëngimi i kontrollit
Ai e ka ripaketuar rajonin kontrovers në një parajsë turistike, duke reklamuar jo vetëm bukurinë e tij, por edhe përvojat shumë lokale "etnike" që grupet e të drejtave të njeriut thonë se po përpiqet t'i fshijë.
I shtrirë përgjatë veriperëndimit të Kinës, Xinjiang kufizohet me tetë vende. I vendosur përgjatë Rrugës së Mëndafshit, e cila nxiti tregtinë midis Lindjes dhe Perëndimit për shekuj me radhë, disa nga qytetet e tij janë të mbushura me histori.
Është gjithashtu shtëpia e maleve të largëta e të thyera, kanioneve madhështore, kullotave dhe liqeneve të pastra.
“Pamjet i tejkaluan pritjet e mia me kilometra”, thotë qytetari nga Singapori, Sun Shengyao, i cili e vizitoi në maj 2024 dhe e përshkruan atë si “Zelanda e Re, Zvicra dhe Mongolia, të gjitha të paketuara në një vend”.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e Kinës që ka shumicë Han (një grup etnik kinez), Xinjiang ka kryesisht myslimanë që flasin turqisht, ku ujgurët janë grupi më i madh etnik. Tensionet u përshkallëzuan gjatë viteve ‘90 dhe 2000, teksa akuzat e ujgurëve për margjinalizim nga kinezët Han nxitën ndjenja separatiste dhe sulme vdekjeprurëse, të cilat intensifikuan masat e rrepta të Pekinit.
Por është nën udhëheqjen e Xi Jinping, që Partia Komuniste Kineze ka filluar ta shtrëngojë kontrollin si kurrë më parë, duke shkaktuar akuza për asimilimin me forcë të ujgurëve në kulturën kineze Han. Gjatë një vizite në shtator, ai bëri thirrje për “sinicizimin e fesë" (procesi i akulturimit ose asimilimit të njerëzve dhe kulturave jokineze në kulturën kineze), transformimin e besimeve për të reflektuar kulturën dhe shoqërinë kineze.
Ndërkohë, investimet kanë vërshuar në rajon. Rreth 200 hotele ndërkombëtare, përfshirë emra të shquar si Hilton dhe Marriott, tashmë operojnë ose planifikojnë të hapen në Xinjiang, sipas një raporti nga grupi i avokimit Uyghur Human Rights Project.
Në vitin 2024, rajoni mirëpriti rreth 300 milionë vizitorë, më shumë se dyfishi i numrit në vitin 2018, sipas autoriteteve kineze. Të ardhurat nga turizmi në Xinjiang u rritën me rreth 40% gjatë kësaj periudhe për të arritur në 51 miliardë dollarë. Në gjysmën e parë të këtij viti, rreth 130 milionë turistë vizituan rajonin.
Ndërsa turizmi i huaj ka qenë në rritje, shumica dërrmuese janë vizitorë vendas.
Pekini tani ka një objektiv ambicioz: më shumë se 400 milionë vizitorë në vit dhe të ardhura nga turizmi prej miliarda dollarësh deri në vitin 2030.
Disa njerëz ende kanë frikë të shkojnë. Sun thotë se i duhej pak kohë për të mbledhur miqtë për një udhëtim në maj 2024, pasi shumë prej tyre e shihnin Xinjiangun si të pasigurt. Vetë 23-vjeçari pati një periudhë nervozizmi, por ndërsa udhëtimi vazhdoi, nervozizmi u zhduk.
Ata filluan në rrugët e zhurmshme të kryeqytetit rajonal, Urumqi. Më pas kaluan tetë ditë në rrugë me një shofer kinez, duke udhëtuar nëpër male dhe stepa të harlisura, gjë që e la Sunin të mahnitur.
Është e zakonshme që shoferët dhe ciceronët turistikë në Xinjiang të jenë kinezë Han, të cilët tani përbëjnë rreth 40% të popullsisë së rajonit. Grupi i Sunit nuk ndërveproi gjerësisht me ujgurët vendas, por pak veta me të cilët arritën të fillonin biseda ishin "shumë mikpritës", thotë ai.
Avokat për Xinjiangun
Që kur është kthyer, Sun është bërë disi një avokat i Xinjiangut, i cili, sipas tij, është “keqkuptuar” si i rrezikshëm dhe i tensionuar.
“Nëse do të mund të frymëzoja vetëm një person të mësonte më shumë rreth (Xinjiang), do të kisha ndihmuar paksa në uljen e stigmës”, thotë ai.
Për të, pamjet mahnitëse që i shijoi si turist duken shumë larg akuzave që e vunë Xinjiang në titujt kryesorë globalë. E tëra çfarë pa ai ishin prova se Xinjiang mbetet nën mbikëqyrje të lartë, me pika kontrolli policore dhe kamera sigurie që janë një pamje e zakonshme, dhe të huajve u kërkohet të qëndrojnë në hotele të caktuara.
Por Sun nuk u shqetësua nga kjo.
“Ka një prani të madhe policore, por kjo nuk do të thotë se ky është një problem i madh”, thotë ai.
Jo çdo turist është i bindur se ajo që po sheh është Xinjiangu “i vërtetë”.
Qytetarja nga Singapori, Thenmoli Silvadorie, e cila zhvilloi vizitë atje me miqtë, në maj për 10 ditë, thotë: “Isha shumë kurioze për kulturën ujgure dhe doja të shihja se sa të ndryshme mund të jenë gjërat atje. Por u zhgënjyem mjaft”.
Ajo dhe miqtë e saj mbanin veshur hixhab dhe, tregon se shitësit ujgurë të ushqimit i kishin kontaktuar duke thënë se ua kishin “zili që mund t'i mbanim lirisht hixhabet”.
“Por, nuk patëm mundësi të zhvillonim biseda shumë të thella".
Ata gjithashtu nuk lejoheshin të vizitonin shumicën e xhamive lokale, shton ajo.
Megjithatë, joshja për vizitorët e huaj është e fortë. Vetë Kina është një destinacion jashtëzakonisht popullor dhe Xinjiang është shfaqur si një opsion "i paprekur", më pak i komercializuar. Një numër gjithnjë e në rritje i të huajve po "i afrohen Xinjiangut me mendje të hapura dhe një dëshirë të sinqertë për të parë dhe vlerësuar vetë të vërtetën", shkroi gazeta shtetërore e Kinës, “Global Times”, në maj.
Partia gjithashtu ka nxituar të promovojë përmbajtje mbi Xinjiang nga ndikues të huaj që përputhen me narrativën e shtetit. Midis tyre është blogeri gjerman Ken Abroad, i cili në një nga videot e tij tha se kishte parë “më shumë xhami (në Xinjiang) sesa në SHBA ose në çdo vend tjetër të Evropës”.
Por të tjerë kanë një pikëpamje tjetër. Shkrimtari Josh Summers, i cili jetoi në Xinjiang në vitet 2010, i ka thënë BBC-së se Qyteti i Vjetër i Kashgarit u “shkatërrua plotësisht dhe u rindërtua në një mënyrë që nuk pasqyron në asnjë mënyrë kulturën ujgure”.
Sipas një raporti të Human Rights Watch nga viti 2024, qindra fshatra në Xinjiang patën emrat e tyre - të cilët lidheshin me fenë, historinë ose kulturën e ujgurëve, të zëvendësuar midis viteve 2009 dhe 2023. Grupi ka akuzuar gjithashtu autoritetet për mbylljen, shkatërrimin dhe ripërdorimin e xhamive në Xinjiang dhe në të gjithë Kinën për të frenuar praktikimin e Islamit.
Shkelje të rënda të të drejtave janë dokumentuar edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Raportimet e BBC-së nga viti 2021 dhe 2022 gjetën prova që mbështesin ekzistencën e kampeve të paraburgimit dhe akuza për abuzim seksual dhe sterilizim të detyruar.
Megjithatë, Pekini i mohon të gjitha këto. Brenda vendit, partia ka ribërë imazhin e asaj që dikur shihej si një rajon i trazuar për të tërhequr më shumë turistë vendas. Dhe duket se po funksionon.
Kur Anna shkoi për herë të dytë, ishte me nënën e saj, e cila mezi priste ta vizitonte pasi kishte parë një serial dramatik lidhur me prefekturën malore të Altait në veri. Seriali “To the Wonder”, u financua nga qeveria dhe u promovua në median shtetërore.
Agjencitë e udhëtimit e përshkruajnë rajonin si “ekzotik” dhe “misterioz”.
“Ai ofron një bashkim magjik të natyrës dhe kulturës që nuk do ta përjetoni askund tjetër në Kinë”, thotë agjencia “The Wandering Lens”. Një udhëtim 10-ditor mund t'ju kushtojë midis 1,500 dhe 2,500 dollarë amerikanë duke përjashtuar fluturimet.
Një itinerar tipik për në veri do të përfshinte Parkun Kombëtar të Kanasit, me shëtitje në liqenet alpine dhe plazhin popullor me pesë ngjyra, si dhe një vizitë në një fshat ujgur ku mund të hipni në karroca dhe të kaloni kohë me një familje ujgure.
Gjërat bëhen më aventureske në jug, ku vizitat shpesh përfshijnë udhëtime me veturë nëpër shkretëtirë, ekskursione të ndryshme në liqene dhe një vizitë në Kashgar, një qytet 2,000-vjeçar i Rrugës së Mëndafshit.
Nëse kërkoni për Xinjiangun në platformat e mediave sociale RedNote dhe Weibo, siç do të prisnit, do të merrni postime që flasin me entuziazëm për bukurinë dhe arkitekturën e saj ikonike. Nuk ka asnjë përmendje të akuzave që bien ndesh me këtë tërheqje idilike.
Në këtë kohë të vitit, mediat sociale kineze janë të mbushura me fotografi të pyjeve të larta të Xinjiangut, në shkëlqimin e verdhë të vjeshtës.
Partia Komuniste po “shet versionin e saj të kulturës ujgure duke i paraqitur njerëzit ujgurë si atraksione turistike”, thotë ujguro-amerikani Irade Kashgary, i cili u largua nga rajoni në vitin 1998.