Blerësit në Kaliforni janë zgjuar herët për të zënë ofertat më të mira në të ashtuquajturën e Premtja e Zezë. Zbritjet e mëdha dhe ofertat e tjera kanë joshur blerësit në ditën që shënon fillimin e festave të fundvitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, shitësit janë shprehur të shqetësuar me zbritjet e së premtes së fundit të nëntorit.
Amerikanët sivjet janë në presion financiar, sepse kanë kursyer më pak dhe shpenzimet janë rritur. Ani pse kishin lehtësim nga ulja e inflacionit, disa produkte dhe shërbime, siç janë mishi dhe qiraja, kanë çmime më të larta sesa para tre vjetësh.
Federata Kombëtare e Shitjeve pret që blerësit sivjet të shpenzojnë më shumë sesa vitin e kaluar, mirëpo shpejtësia e blerësve është ngadalësuar për shkak të paqartësisë ekonomike. Kjo federatë ka parashikuar se shitjet do të ngrihen deri në 4 për qind për muajt nëntor dhe dhjetor, krahasuar me 5.4 për qind sa ishin shitjet e vitit të kaluar.