Botë

Alarmi i OKB-së: Ukraina po gjymtohet

Robert Mardini, drejtor i përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tha se lufta është bërë "asgjë më pak se një makth" për ata që jetojnë në qytetet e rrethuara dhe ai u lut për një kalim të sigurt për civilët që të largohen dhe për të sjellë ndihma humanitare përmes vijës së frontit. "Situata nuk mund, nuk mund të vazhdojë kështu", tha ai. "Historia po vëzhgon atë që po ndodh në Mariupol dhe qytete të tjera”. Presidenti Volodymir Zelensky do t’i adresohet Kongresit Amerikan

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, bëri thirrje për paqe në Ukrainë. Ai tha se lufta po vazhdon të përkeqësohet dhe se nga ajo do të ketë vetëm humbës.

"Ukraina është në zjarr. Vendi po shkatërrohet para syve të botës. Ndikimi mbi civilët po arrin përmasa të tmerrshme. Njerëz të panumërt të pafajshëm - përfshirë gra dhe fëmijë - janë vrarë", tha ai duke iu drejtuar gazetarëve. "Pas goditjes nga forcat ruse, rrugët, aeroportet dhe shkollat janë kthyer në gërmadha. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën 24 objekte shëndetësore kanë pësuar sulme. Qindra mijëra njerëz janë pa ujë ose energji elektrike. Dy gjëra janë gjithnjë e më të qarta: Së pari, lufta po vazhdon të përkeqësohet. Së dyti, cilido qoftë rezultati, kjo luftë nuk do të ketë fitues, vetëm humbës”, shtoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Guterres nuk ka folur me Putinin që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë në fund të shkurtit.

Ai tha se ka folur me disa liderë botërorë që kanë qenë në kontakt me liderin e Rusisë dhe se janë duke punuar në përpjekje për ndërmjetësim.

Rusia dhe Ukraina kanë lënë një shteg diplomatik me raundin e ri të bisedimeve, edhe pse forcat e Moskës qëlluan Kievin dhe qytetet e tjera anembanë vendit në një bombardim ndëshkues që Kryqi i Kuq tha se ka krijuar "një makth" për civilët.

Ndërkohë, një kolonë prej 160 makinash civile u largua nga qyteti portual i rrethuar i Mariupolit përgjatë një rruge të caktuar humanitare, njoftoi këshilli i qytetit, në një fije shprese të rrallë pas një jave e gjysmë në rrethimin vdekjeprurës duke lënë njerëzit të dëshpëruar për ushqim, ujë, ngrohje dhe ilaçe. Presidenti Volodymir Zelenskyy do t’i adresohet Kongresit amerikan.

“Pauzë teknike”

Negociatat e fundit, të cilat u mbajtën nëpërmjet videokonferencës, ishin raundi i katërt që përfshin zyrtarë të nivelit më të lartë nga të dy vendet dhe i pari në një javë. Bisedimet përfunduan pa përparim pas disa orësh, me një ndihmës të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, që tha se negociatorët morën "një pauzë teknike" dhe planifikuan të takoheshin sërish të martën.

Të dy palët ishin shprehur disa ditë me optimizëm. Mykhailo Podolyak, ndihmësi i Zelenskyyt, tha gjatë fundjavës se Rusia "po dëgjonte me kujdes propozimet tona". Ai shkroi në Twitter të hënën se negociatorët do të diskutonin "paqen, armëpushimin, tërheqjen e menjëhershme të trupave dhe garancitë e sigurisë".

Diskutimet e mëparshme, të mbajtura personalisht në Bjellorusi, nuk prodhuan rrugë të qëndrueshme humanitare ose marrëveshje për t'u dhënë fund luftimeve.

Në përgjithësi, pothuajse të gjitha ofensivat ruse ngecën të hënën pasi kishin bërë pak përparim gjatë fundjavës, ka thënë një zyrtar i lartë i mbrojtjes i SHBA-së, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar vlerësimin e Pentagonit. Trupat ruse janë larg rreth 15 kilometra nga qendra e Kievit, tha zyrtari.

Rusia ka sulmuar me mbi 900 raketa

Zyrtari tha se forcat e presidentit rus, Vladimir Putin, kanë lëshuar më shumë se 900 raketa, por hapësira ajrore e Ukrainës është ende e kontestuar, me Rusinë që nuk arrin epërsi totale ajrore.

Gjatë natës, alarmet për sulm ajror u dëgjuan në qytete dhe qyteza anembanë vendit, nga afër kufirit rus në lindje deri në malet Karpate në perëndim, dhe luftimet vazhduan në periferi të Kievit. Zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse granatuan disa periferi të kryeqytetit.

Autoritetet ukrainase thanë se dy persona u vranë kur rusët qëlluan një fabrikë aeroplanësh në Kiev, duke shkaktuar zjarr të madh. Fabrika Antonov është më e madhja e prodhimit të avionëve në Ukrainë dhe është më e njohura për prodhimin e shumë prej avionëve më të mëdhenj të mallrave në botë.

Zjarri i artilerisë ruse goditi gjithashtu një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe në lagjen veriore Obolonskyi, duke vrarë dy persona të tjerë, thanë autoritetet. Zjarrfikësit punuan për të shpëtuar të mbijetuarit, duke mbajtur me kujdes një grua të plagosur në një barelë prej ndërtesës së nxirë dhe tymuese.

Dhe një sulm ajror rus pranë një postblloku të Ukrainës shkaktoi dëme të mëdha në një lagje në qendër të Kievit, duke vrarë një person, tha agjencia e urgjencës e Ukrainës.

"Ishte shumë, shumë e frikshme"

Kateryna Lot tha se ishte në banesën e saj ndërsa fëmija i saj bënte detyrat e shtëpisë kur dëgjuan një shpërthim të fortë dhe vrapuan për t'u strehuar.

“Fëmija u bë histerik. Na u thyen xhamat dhe ballkoni. Një pjesë e tavanit ra”, tha ajo. "Ishte shumë, shumë e frikshme".

Një këshilltar i qytetit për Brovary, në lindje të Kievit, u vra gjatë luftimeve, thanë zyrtarët. Predha ranë gjithashtu në periferitë e Kievit, në Irpin, Bucha dhe Hostomel, të cilat kanë përjetuar disa nga luftimet më të ashpra në përpjekjen e ngecur të Rusisë për të marrë kryeqytetin.

Sulmet ajrore u raportuan në të gjithë vendin, duke përfshirë qytetin jugor Mykolaiv dhe qytetin verior Chernihiv, ku ngrohja qendrore u godit në pjesën më të madhe të qytetit. Shpërthime pati gjithashtu gjatë natës rreth portit Kherson të Detit të Zi, të pushtuar nga Rusia.

Nëntë persona u vranë në një sulm me raketa në një kullë televizive në fshatin perëndimor të Antopolit, sipas guvernatorit të rajonit.

Në qytetin lindor Kharkiv, zjarrfikësit shuan mbetjet e djegura të një ndërtese banimi katërkatëshe. Nuk ishte e qartë nëse kishte viktima.

Vuajtjet e mëdha

Në Mariupol, ku lufta ka shkaktuar vuajtjet më të mëdha, këshilli i qytetit nuk tha se sa njerëz ishin në kolonën e makinave që u nis drejt perëndimit për në qytetin Zaporzhia. Por tha se një armëpushim përgjatë rrugës dukej se po zbatohej.

Përpjekjet e mëparshme për të evakuuar civilët dhe për të dërguar ndihma humanitare në qytetin me 430.000 banorë u penguan nga luftimet e vazhdueshme.

Robert Mardini, drejtor i përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tha se lufta është bërë "asgjë më pak se një makth" për ata që jetojnë në qytetet e rrethuara dhe ai u lut për një kalim të sigurt për civilët që të largohen dhe për të sjellë ndihma humanitare përmes vijës së frontit.

"Situata nuk mund, nuk mund të vazhdojë kështu", tha ai. "Historia po vëzhgon atë që po ndodh në Mariupol dhe qytete të tjera”.

Një grua shtatzënë, e cila u bë simbol i vuajtjes së Ukrainës kur u fotografua duke u marrë nga një maternitet i bombarduar në Mariupol javën e kaluar, ka vdekur së bashku me foshnjën e saj, ka mësuar Associated Press.

Banorët e Mariupolit, përfshirë Natalia Koldashit, nxituan të strehoheshin brenda një ndërtese të dielën, ndërsa një aeroplan i paidentifikuar kaloi sipër.

“Nuk kemi fare informacion”, tha Koldash. “Ne nuk dimë asgjë. Duket sikur jetojmë në një pyll të thellë”.

Vrasja e civilëve

Videoja e Associated Press tregoi mbeturina nga një ndërtesë banimi e dëmtuar dhe një ndërtesë tjetër, që i riu i quajtur Dima e përshkroi si shkollë fillore.

“Nuk kishte asnjë ushtri në këtë shkollë”, tha ai. "Është e paqartë pse u godit”.

Ushtria ruse tha se 20 civilë në qytetin Donetsk të kontrolluar nga separatistët në Ukrainën Lindore u vranë nga një raketë balistike e lëshuar nga forcat ukrainase. Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

OKB-ja ka regjistruar të paktën 596 vdekje civile qëkur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, megjithëse beson se numri i vërtetë është shumë më i lartë. Miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre, me më shumë se 2.8 milionë që kalojnë në Poloni dhe vende të tjera fqinje në atë që OKB-ja e ka quajtur kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Gjithë ditën duke qarë nga dhimbja e ndarjes me më të dashurit, me burrin tim, me prindërit e mi”, tha refugjatja 33-vjeçare Alexandra Beltuygova në qytetin kufitar polak të Przemysl pasi u largua nga qyteti industrial ukrainas Dnipro.

“Unë e kuptoj që ne mund të mos i shohim. Uroj që kjo luftë të përfundojë”, tha ajo.

Kërkesa për ndihmë

Ushtria e Rusisë është më e madhe dhe e pajisur më mirë se ajo e Ukrainës, por trupat e saj janë përballur me rezistencë më të ashpër sesa pritej, e përforcuar nga armët e furnizuara nga Perëndimi. SHBA-ja thotë se Rusia i kërkoi Kinës pajisje ushtarake për t'u përdorur në Ukrainë – një pretendim që Kremlini e mohoi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se "Rusia ka potencialin e saj për të vazhduar operacionin" dhe se ai "po shpaloset në përputhje me planin dhe do të përfundojë në kohë dhe plotësisht".

Rusia ka mohuar se synon të pushtojë Ukrainën, por Peskov tha se "nuk përjashton mundësinë e marrjes së kontrollit të plotë të vendbanimeve të mëdha që tani janë praktikisht të rrethuara".

Lufta u zgjerua të dielën kur raketat ruse goditën një bazë stërvitore ushtarake në Ukrainën Perëndimore, afër kufirit polak, që më parë shërbente si një qendër vendimtare për bashkëpunimin midis Ukrainës dhe NATO-s.

Sulmi vrau 35 persona, thanë zyrtarët ukrainas, dhe ngriti frikën se NATO-ja mund të tërhiqej në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Zyrtari i lartë i mbrojtjes amerikane tha se baza nuk po përdorej në atë kohë si një vend dërgese për furnizimet ushtarake të SHBA-së në Ukrainë.

Hiqet flamuri ukrainas në Sheshin e Fitores

Flamuri i madh ukrainas në Sheshin e Fitores në Melitopolin e pushtuar nga Rusia, vendi i shumë protestave në ditët e fundit, është hequr.

CNN ka verifikuar vërtetësinë e fotove të postuara në rrjetet sociale.

Gazeta lokale e lajmeve RIA-Melitopol postoi një nga fotot, duke thënë se flamuri u hoq nga punonjësit e punëve publike.

Trupat ruse morën kontrollin e Melitopolit më 26 shkurt. Të premten, njerëz të armatosur arrestuan kryebashkiakun e zgjedhur, Ivan Fedorov, dhe më vonë atë ditë zyra e prokurorit për rajonin separatist të mbështetur nga Rusia, Luhansk e akuzoi atë për terrorizëm.

Që atëherë, kryebashkiaku i porsaemëruar ka tentuar të shpërndajë këshillin e qytetit në favor të krijimit të një Komiteti Popullor. Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës hapi një hetim për tradhti ndaj Danilchenko të dielën.

Rusia ndëshkon kompanitë që respektojnë sanksionet

Ndërkohë partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, po propozon të mbajë para përgjegjësisë penale kompanitë që respektojnë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga vendet perëndimore, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, duke cituar Andrey Turchakun, sekretar i këshillit të përgjithshëm të partisë.

Turkchak tha se partia në pushtet do të përgatisë amendamentet përkatëse për parlamentin rus në të ardhmen e afërt.

"Ne sapo kemi miratuar amendamentet që vendosin përgjegjësi administrative dhe penale për kompanitë që mbështesin sanksionet kundër individëve rusë. Për më tepër, mbështetja e tillë indirekte për sanksionet e huaja brenda vendit tonë kualifikohet si asgjë tjetër veçse tradhti”, tha Turchak.

Partia propozon "të vendosen përgjegjësi të ashpra, përfshirë penale për njësi të tilla biznesi dhe menaxherët e tyre për respektimin dhe zbatimin e sanksioneve perëndimore", ka njoftuar Turchak.

Turchak vazhdoi duke thënë se në sfondin e "histerisë së sanksioneve perëndimore, ka raste të regjistruara kur kompanitë ruse, përfshirë kompanitë me pjesëmarrje shtetërore, refuzojnë të punojnë me bankat dhe ndërmarrjet e sanksionuara me pretekstin se ata vetë rrezikojnë të jenë në shënjestër të sanksioneve të pandershme Edhe konkurrentët përfitojnë nga situata, duke përhapur në mënyrë aktive thirrje për t'i dhënë fund bashkëpunimit me kompanitë e goditura nga sanksionet”.

Britania me skemë për strehimin e ukrainasve

Në Britani, një skemë e re e qeverisë britanike do t'u ofrojë banorëve të Mbretërisë së Bashkuar 467 dollarë në muaj për të pritur refugjatët ukrainas.

Të gjithë shtetasit dhe banorët ukrainas do të kenë të drejtë për "Shtëpitë për Ukrainën", njoftoi Qeveria, duke shtuar se "nuk do të ketë kufi për numrin e ukrainasve që mund të përfitojnë nga kjo skemë".

Ukrainasit që mbërrijnë në Britani "do të kenë qasje dhe përfitime të plota dhe të pakufizuara, kujdes shëndetësor, punësim".

Sipas skemës, sponsorët do të duhet të ofrojnë strehim për të paktën gjashtë muaj dhe do t'i nënshtrohen "kontrollit të nevojshëm të verifikimit".

Mbretëria e Bashkuar ka "një histori të gjatë dhe krenare për të mbështetur më të cenuarit gjatë orëve të tyre më të errëta", u tha sekretari Gove ligjvënësve në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar të hënën.

Skema fillimisht do të "lehtësojë sponsorizimin midis njerëzve me lidhje të njohura" me qeverinë që shpreson të "zgjerojë me shpejtësi" skemën për të përfshirë bamirësi, kisha dhe grupe të komunitetit.

“Ukraina do të mbijetojë pushtimin rus”

Ndërsa luftimet në Ukrainë vazhdojnë, Ed Lavandera i televizionit CNN foli drejtpërdrejt me një grua që kishte kaluar dy ditë duke udhëtuar nga Kievi në Poloni në kërkim të sigurisë dhe kujdesit shëndetësor.

"Është një makth. Është joreale për mua", tha Alexandra Voitenko, e cila la burrin e saj pas në Ukrainë, ndërsa kërkon trajtim të kancerit të gjirit për nënën e saj.

"Ne ndihemi kaq krenarë për popullin tonë, për Ukrainën tonë. Do të jemi më të lumtur çdoherë, çdo sekondë pas gjithë këtij tmerri", tha ajo.

Pavarësisht bombardimeve dhe dhunës, Voitenko thotë se ende ka në plan të kthehet në Ukrainë pasi të sigurohet për kujdesin për nënën.

“Më duhet të jem në Ukrainë pas gjithë kësaj lufte në Kiev”, tha ajo. Voitenko ndihet më e fortë se kurrë që vendi i saj do të mbijetojë dhe do të dalë i bashkuar.

"Absolutisht, po. Absolutisht, po. Ne e meritojmë të fitojmë", tha ajo. "Ne meritojmë të jemi pjesë e Evropës. Ne jemi absolutisht një popull dhe komb i përsosur”.

Përgatiti: Rexhep Maloku