Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Korenë e Jugut dhe Japoninë se po përgatiten për luftë me Korenë e Veriut.
Në një konferencë për shtyp në OKB, Lavrov ka thënë se “blloku i ri ushtarak” i mbledhur nga SHBA-ja po shton aktivitetet e tij.
SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia i kanë përshkruar stërvitjet e përbashkëta ushtarake si mbrojtëse dhe të nevojshme për të kundërshtuar kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut.
“Papritur, retorika e Koresë së Jugut u bë edhe më armiqësore ndaj Phenianit. Retorikë agresive po dëgjohet edhe nga Japonia dhe se Japonia po flet seriozisht për ngritjen e infrastrukturës së NATO-s me ndihmën e Amerikës”, ka thënë Lavrov.
Sipas Lavrov, qëllimi i atij blloku ushtarak është shprehur qartë, pasi siç tha ai, ata “po përgatiten për luftë me Korenë e Veriut”.
Ministri rus ka deklaruar se SHBA-ja dhe aleatët e saj aziatikë po flasin gjithashtu për zhvillimin e bashkëpunimit për çështjet bërthamore, por nuk dha ndonjë fakt.
Javën e kaluar, SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut kryen stërvitje të përbashkëta detare duke përfshirë një aeroplanmbajtëse amerikane – që u pa si mesazh për Korenë e Veriut.
Edhe
Stërvitjet Kore e Jugut-Japoni-SHBA janë versioni aziatik i NATO-s, thotë Pheniani
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kryer teste provokuese të armëve dhe raporte që kanë ngritur tensionet rajonale në nivelin më të lartë në disa vite. Diplomatët e lartë nga tre vendet aleate do të takohen në Seul për të diskutuar përkeqësimin e marrëdhënieve me Phenianin.
Lavrov ka thënë se marrëdhëniet e Rusisë me Korenë e Veriut po shkojnë mirë dhe po zhvillohen në mënyrë aktive.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut është një nga liderët e paktë botërorë që mbështet hapur presidentin rus Vladimir Putin në luftën kundër Ukrainës. Kim nuk i fsheh lidhjet me Rusinë në një përpjekje për ta nxjerrë vendin e tij nga izolimi diplomatik dhe për të forcuar pozicionin e tij, ndërkohë që kundërshton gjithnjë e më shumë Uashingtonin, Seulin dhe Tokion.