Në një aksident trafiku në jug të Afganistanit kanë mbetur të vdekur të paktën 21 persona dhe 38 tjerë janë lënduar, raporton agjencia “AP” të dielën.
Aksidenti ka ndodhur në mëngjesin e të dielës në qarkun Gerashk në provincën Helmand. Një motoçikletë është përplasur në një autobus të pasagjerëve në autostradën kryesore mes Kandaharit dhe Heratit. Autobusi më pas e goditi një tanker të naftës që shpërtheu.
Autoritetet e Departamentit të Trafikut në Helmand kanë thënë se po hetohet rasti.
11 nga 38 të lënduarit janë në gjendje të rëndë, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Helmandit, Hzatullah Haqqani.
Aksidentet e trafikut nuk janë të pazakonta në Afganistan, ndërsa ndodhin kryesisht për shkak të gjendjes së rëndë të rrugëve dhe pakujdesisë së shoferëve.