Myslimanët nëpër botë kanë festuar Bajramin e Vogël me mesazhe paqeje dhe dashurie, mirëpo afganët festën e sakrificës e kanë pritur në krizë të thellë ekonomike dhe nuk kanë mundur të blinin kafshë për t’i bërë kurban. Ndërkaq, sivjet haxhi po konsiderohet si njëri prej më të vështirëve për shkak të temperaturave ekstreme në Arabinë Saudite
Myslimanët nëpër botë kanë festuar Bajramin e Vogël me mesazhe për paqe dhe dashuri.
Besimtarët në Egjipt festimet i nisën me lutjet në xhaminë e Kajros.
Kurban Bajrami, i njohur si festa e sakrificës, përkujton atë që myslimanët besojnë se ishte gatishmëria e Profetit Ibrahim për të sakrifikuar të birin e tij Ismailin si provë të besimit të tij në Zot.
Ndërkaq tregtarët në Afganistan thonë se kriza e thellë ekonomike ka pasur ndikim të madh në shitjen e kafshëve për t’i therur për kurban.
Për Bajram myslimanët zakonisht therin dele, dhi, lopë ose deve.
Mishi nga kafshët e sakrifikuara shpërndahet mes familjeve, miqve dhe njerëzve që nuk kanë kushte për të therur kafshët.
“Sivjet çmimet janë të larta, njerëzit janë të papunë dhe në varfëri. Edhe 6 dollarë nuk janë të mjaftueshme për një familje, sepse nuk fitojnë as 2 dollarë në ditë. Jo vetëm kafshët janë të shtrenjta, por edhe çmimet e tjera janë ngritur”, ka thënë Mohammad Saber, tregtar.
Shumica e afganëve janë ankuar se nuk mund të blejnë asnjë kafshë, sepse janë të papunë.
“Erdha që të blej dele ose dhi për sakrificë, por çmimet janë shumë të larta. Kasapi zgjodhi një për mua dhe një e bleu për vete”, ka thënë Mohammad Tamim – qytetar i Kabulit.
Afganët janë shprehur të bindur se kriza ekonomike u thellua edhe më shumë pasi talebanët morën kontrollin e shtetit në vitin 2021.
Ndërkaq haxhi sivjet po konsiderohet si më i vështiri për shkak të temperaturave ekstreme në Arabinë Saudite.
Një ditë para festës së Bajramit pelegrinët u mblodhën në Mekë për të hedhur gurë në drejtim të tri shtyllave që përfaqësojnë djallin. Por, në mëngjes temperaturat kanë arritur në 42 gradë celsius.