Botë

Administrata Trump pritet ta lidhë përdorimin e Tylenolit me autizmin

Donald Trump Kennedy

Foto: Associated Press

Administrata e Donald Trumpit pritet të hënën ta lidhë përdorimin e ilaçit popullor Tylenol - i njohur si paracetamol në vende të tjera të botës, nga gratë shtatzëna, me një rrezik për autizëm, raportoi Washington Post.

Zyrtarët e Trumpit pritet gjithashtu të njoftojnë një përpjekje për të eksploruar se si ilaçi kundër kancerit dhe anemisë, leukovorin, potencialisht mund të trajtojë autizmin, sipas raportit të Post të botuar të dielën, i cili ka cituar katër burime me njohuri për planet.

Udhëzimet mjekësore thonë se është e sigurt për gratë shtatzëna të marrin Tylenol, ilaçin pa recetë për dhimbje, përbërësi aktiv i të cilit njihet si acetaminofen në SHBA dhe paracetamol në vende të tjera të botës. 

Por, siç ka vërë në dukje Post, zyrtarët federalë të shëndetësisë kanë shqyrtuar hulumtimet e mëparshme, duke përfshirë një shqyrtim të gushtit nga studiuesit nga Universiteti i Harvardit dhe spitali Mount Sinai, që sugjeroi një lidhje të mundshme midis përdorimit të Tylenol në fillim të shtatzënisë dhe një rreziku në rritje të autizmit tek fëmijët.

Trumpi e ka përmendur çështjen gjatë përkujtimit të aktivistit konservator Charlie Kirk të dielën, duke i thënë turmës "Mendoj se gjetëm një përgjigje për autizmin". 

Wall Street Journal ka raportuar në shtator se sekretari i Shëndetësisë i Trumpit, Robert F Kennedy Jr, planifikonte të njoftonte se përdorimi i Tylenol nga gratë shtatzëna ishte potencialisht i lidhur me autizmin, i cili përkufizohet si një gjendje neurozhvillimore e shënuar nga vështirësi sociale dhe komunikimi.

Siç raportoi Post, disa prova mjekësore që përfshijnë administrimin e leukovorinës tek fëmijët me autizëm kanë treguar "atë që disa shkencëtarë e përshkruajnë si përmirësime të jashtëzakonshme në aftësinë e tyre për të folur dhe për të kuptuar të tjerët" - megjithëse këto prova konsiderohen të hershme.

Kennedy ka pohuar se SHBA-ja është në prag të një "epidemie autizmi" të nxitur nga "toksinat mjedisore".

Kennedy dhe udhëheqës të tjerë të lartë nga agjencitë shëndetësore të qeverisë amerikane pritet të marrin pjesë në njoftimin e së hënës, raportoi Politico.

Teksa Kennedy beson se përdorimi i Tylenolit nga gratë shtatzëna mund të paraqesë rrezik për autizëm, ai kishte hezituar të paralajmëronte publikun, duke sinjalizuar një përçarje brenda administratës Trump në lidhje me trajtimin e kësaj teme, sipas Politico.

Dekada të tëra kërkimesh nuk kanë dhënë përgjigje të sakta mbi atë që kontribuon në autizëm, por shumë shkencëtarë besojnë se gjenetika, potencialisht në kombinim me ndikimet mjedisore, luan një rol.