Ish-sekretarja që punoi për komandën naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, Irmgard Furchner, 97-vjeçare, u gjet bashkëfajtore në torturimin dhe vrasjen e 10.505 personave, raportoi BBC-ja të martën.
Ajo shërbeu si daktilografiste përgjatë viteve 1943-1945 në kampin e përqendrimit në Stutthof të Polonisë, ndërsa gjykata e dënoi me dy vjet burgim me kusht.
Ajo është ndër të paktat gra që u dënua për krimet e nazizmit.
Furchner shërbeu si zyrtare civile në autoritetin e Gjermanisë naziste, ndërsa gjykata tha në verdikt se 97-vjeçarja, atëbotë adoleshente, “ishte në dije të plotë për atë që po ndodhte në kamp”.
Rreth 65,000 njerëz thuhet se kanë vdekur në kushte mizore në Stutthof, duke përfshirë të burgosur hebrenj, polakë dhe ushtarë sovjetikë.
Stutthof, me lokacion pranë qytetit modern polak të Gdanskut, përdori një sërë metodash për të vrarë të burgosurit e tij dhe mijëra vdiqën në dhomat e gazit atje, që nga qershori 1944.
Kur nisi gjyqi në shtator 2021, Irmgard Furchner u arratis nga shtëpia e saj e të moshuarve dhe u gjet përfundimisht nga policia në një rrugë në Hamburg të Gjermanisë.