Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

800 shërbyes civilë të shteteve perëndimore kundërshtojnë Izraelin

Më shumë se 800 zyrtarë amerikanë dhe evropianë kanë nënshkruar deklaratën me të cilën kanë tërhequr vërejtjen se politikat e qeverive të tyre ndaj luftës mes Izraelit dhe Gazës mund të cenojnë rendin ndërkombëtar.

E ashtuquajtura “deklarata transatlantike” thotë se qeveritë e tyre rrezikojnë të jenë bashkëpjesëmarrëse në një prej katastrofave më të mëdha njerëzore të këtij shekulli. Këta zyrtarë kanë thënë se këshillat e tyre janë lënë anash nga liderët e qeverive.

Deklarata është shenjë e pakënaqësisë brenda qeverive aleate për mënyrën e zhvillimit të luftës së Izraelit.

Një prej nënshkruesve është edhe një zyrtar me përvojë 25-vjeçare në sigurinë kombëtare. Ai ka thënë se qeveria ka vazhduar të refuzojë shqetësimet e tyre. Deklarata është nënshkruar nga shërbyesit civilë të SHBA-së, BE-së dhe 11 shteteve të tjera evropiane përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë.

Në këtë deklaratë shërbyesit civilë kanë thënë se Izraeli me operacionet ushtarake në Gazë ka treguar se nuk ka kufij dhe ka rezultuar me vrasjen e mijëra civilëve. Sipas tyre, vrasja e civilëve ka mundur të parandalohej. Identiteti i këtyre shërbyesve civilë nuk është bërë publik.