Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

61 emigrantë të vdekur në Libi

Të paktën 61 emigrantë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, janë mbytur në brigjet e Libisë pas fundosjes së një anije, ka thënë Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin (IOM) të dielën, shkruan CNN.

Duke cituar raporte nga të mbijetuarit, zyra e IOM-it në Libi ka shkruar në rrjetin social X se anija u nis nga qyteti bregdetar Zuwara, që ndodhet në perëndim të kryeqytetit Tripoli dhe 60 km nga kufiri me Tunizinë, me rreth 86 persona në bord.

“Mesdheu Qendror është ende një nga pjesët më të rrezikshme të rrugëve të migracionit në botë”, ka thënë agjencia e OKB-së në një deklaratë.

Libia është një pikë kyçe tranziti përgjatë rrugës qendrore të Mesdheut.

Çdo vit, dhjetëra mijëra njerëz kalojnë kufijtë e Libisë. Tragjeditë në det nuk janë të rralla pasi shumë largohen nga konflikti përmes asaj rruge.

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR, më shumë se 2.500 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur vetëm këtë vit në Mesdheun qendror.