Sipas organizatës izraelite të të drejtave të njeriut “B'Tselem”, në 10 muajt e fundit, kolonët izraelitë i kanë detyruar palestinezët të largohen nga të paktën 18 fshatra në Bregun Perëndimor, territor palestinez midis Izraelit dhe Jordanisë që u pushtua nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, dhe që atëherë mbetet i pushtuar.
Në fshatin palestinez Battir, ku tarracat e lashta furnizohen me ujë nga një burim natyror, jeta vazhdon siç ka ndodhur me shekuj.
Duke qenë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Battir është i njohur për ullishtat dhe vreshtat e tij. Por tani është pika më e fundit e ndezjes së luftimeve mbi vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Izraeli ka miratuar një vendbanim të ri hebre atje, duke marrë tokën nga pronësia private për shtëpitë e reja të kolonëve, dhe janë ngritur poste të reja madje pa autorizimin izraelit.
"Ata po vjedhin tokën tonë për të ndërtuar ëndrrat e tyre”, thotë Ghassan Olyan, prona e të cilit është në mesin e atyre të sekuestruara.
UNESCO thotë se është e shqetësuar nga planet e kolonëve rreth Battirit, por fshati është larg nga një shembull i izoluar. Të gjitha vendbanimet shihen si të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare, megjithëse Izraeli nuk pajtohet.
“Ata nuk kujdesen për të drejtën ndërkombëtare, apo ligjin vendës, madje edhe ligjin e Zotit”, thotë Olyan.
Javën e kaluar, shefi i inteligjencës së brendshme të Izraelit, Ronen Bar, u shkroi ministrave duke paralajmëruar se ekstremistët hebrenj në Bregun Perëndimor po kryenin akte "terrori" kundër palestinezëve dhe po i shkaktonin "dëme të papërshkrueshme" vendit.
Që nga fillimi i luftës në Gazë, ka pasur një përshpejtim të rritjes së vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ekstremistët në qeverinë e Izraelit mburren se këto ndryshime do të pengojnë krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Ekziston edhe frika se ata kërkojnë të zgjasin luftën në Gazë për t'iu përshtatur qëllimeve të tyre.
Yonatan Mizrahi nga “Peace Now”, një organizatë izraelite që monitoron rritjen e vendbanimeve, thotë se ekstremistët hebrenj në Bregun Perëndimor po përkeqësojnë një situatë tashmë të tensionuar dhe të paqëndrueshme, dhe po e bëjnë më të vështirë se kurrë përfundimin e konfliktit izraelito-palestinez.
"Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rrezikshme. Po rrit urrejtjen nga të dyja palët”, thotë Mizrah.
Ai beson se një "përzierje zemërimi dhe frike" në shoqërinë izraelite pas sulmeve të 7 tetorit, në të cilat u vranë 1,200 persona, po i shtyn kolonët të marrin më shumë tokë në Bregun Perëndimor.
Një studim i qershorit nga Qendra Kërkimore “Pew” nxori se 40% e izraelitëve besonin se vendbanimet e bënin vendin më të sigurt, nga 27% sa besonin në vitin 2013. Ndërkohë, 35% e njerëzve të anketuar thanë se vendbanimet dëmtojnë sigurinë e Izraelit, nga 42% në vitin 2013.
Që nga shpërthimi i luftës, dhuna e kolonëve kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor është rritur. Dhuna veçse kishte qenë në rritje, por në 10 muajt e fundit OKB-ja ka dokumentuar rreth 1,270 sulme, krahasuar me 856 në të gjithë vitin 2022.
Sipas organizatës izraelite të të drejtave të njeriut “B'Tselem”, gjatë së njëjtës periudhë ngacmimi i kolonëve izraelitë i ka detyruar palestinezët të largohen nga të paktën 18 fshatra në Bregun Perëndimor, territori palestinez midis Izraelit dhe Jordanisë që u pushtua nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, dhe që atëherë ka mbetur i pushtuar.
Midis 7 tetorit dhe gushtit 2024, 589 palestinezë u vranë në Bregun Perëndimor, të paktën 570 nga forcat izraelite dhe të paktën 11 nga kolonët, sipas OKB-së. Të vdekurit përfshijnë disa që thuhet se kishin planifikuar sulme si dhe civilë të paarmatosur. Në të njëjtën periudhë, palestinezët vranë pesë kolonë dhe nëntë anëtarë të forcave të sigurisë izraelite.
Javën e kaluar, një palestinez i moshës 40-vjeçare thuhet se u qëllua për vdekje pasi kolonët dhe ushtarët izraelitë hynë në Wadi al-Rahhel, afër Betlehemit. Ushtria izraelite tha ishin hedhur gurë më parë në një automjet izraelit aty pranë.
Muajin e kaluar, një palestinez 22-vjeçar u vra kur dhjetëra kolonë pushtuan fshatin Jit, duke shkaktuar reagime ndërkombëtare. Forcat izraelite të sigurisë kanë bërë katër arrestime dhe e kanë përshkruar incidentin si një "ngjarje të rëndë terroriste".
Por ndëshkimet në raste të tilla janë thuajse inekzistente. Grupi izraelit i të drejtave civile “Yesh Din” zbuloi se, midis 2005 dhe 2023, vetëm 3% e hetimeve zyrtare për dhunën e kolonëve përfunduan me një dënim.
Në letrën e Ronen Bar, e cila u zbulua në mediat izraelite, kreu i shërbimit të sigurisë Shin Bet të Izraelit tha se kolonët radikalë u trimëruan nga moszbatimi i ligjit.
“Jashtëzakonisht e rrezikshme”
Kolonët jetojnë në komunitete ekskluzivisht hebraike të ngritura në disa pjesë të Bregut Perëndimor.
Shumë vendbanime kanë mbështetjen ligjore të qeverisë izraelite, të tjerat, të njohura si poste janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit. Por ekstremistët i ndërtojnë ato pavarësisht të gjithave, në një përpjekje për të kapur më shumë tokë.
Në korrik Gjykata e lartë e OKB-së vendosi për herë të parë se pushtimi i Bregut Perëndimor nga Izraeli, përfshirë Jerusalemin lindor, ishte i paligjshëm, tha se vendi duhet të ndalojë të gjithë aktivitetin e vendbanimeve dhe të tërhiqet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Aleatët perëndimorë të Izraelit i kanë përshkruar vazhdimisht vendbanimet si një pengesë për paqen. Mirëpo Izraeli e hodhi poshtë gjetjen, duke thënë: "Populli hebre nuk është pushtues në tokën e tij".
Tani ka frikë se ekstremistët po punojnë për t'i bërë vendbanimet në Bregun Perëndimor të pakthyeshme.
Ata kanë zgjeruar me shpejtësi kontrollin e tyre mbi territorin, me mbështetjen e qeverisë së ekstremit të djathtë të Izraelit. Këta ekstremistë po avancojnë planet e aneksimit në Bregun Perëndimor. Kolonët tani shërbejnë në zemër të qeverisë së Izraelit, në ministritë kryesore.
Pikërisht në kohën kur liderët botërorë që kundërshtojnë vendbanimet po shprehin një entuziazëm të ripërtërirë për një zgjidhje me dy shtete, një plan paqeje i shumëpritur që do të krijonte një shtet të veçantë palestinez, nacionalistët fetarë izraelitë, të cilët besojnë se të gjitha këto toka me të drejtë i përkasin Izraelit, po zotohen të bëjnë të pamundur ëndrrën e një shteti të pavarur palestinez.
Analistët mendojnë se kjo është arsyeja pse disa politikanë po refuzojnë të pranojnë çdo marrëveshje armëpushimi.
“Arsyeja që ata nuk duan të përfundojnë konfliktin apo të hyjnë në një marrëveshje pengjesh është, sepse ata besojnë se Izraeli duhet të vazhdojë të luftojë derisa të arrijë një pikë ku mund të qëndrojë brenda Gazës”, thotë Tal Schneider, korrespondent politik për “The Times of Israel”.
“Ata mendojnë se për një afat të gjatë ideologjia e tyre është më e drejtë. Kjo është logjika e tyre”, shton ai.
Ndërkohë autoritetet izraelite kanë njoftuar planet për pesë vendbanime të reja, përfshirë atë në Battir, duke marrë një sipërfaqe rekord toke, të paktën 23 km katrorë. Kjo do të thotë se Izraeli e konsideron atë tokë izraelite, pavarësisht nëse është në territoret e pushtuara palestineze, ose në pronësi private të palestinezëve, ose të dyja, dhe palestinezët nuk lejohen ta përdorin atë.
Duke ndryshuar faktet në terren, siç e përshkruajnë kolonët, ata shpresojnë të lëvizin mjaft izraelitë në tokë dhe të ndërtojnë mjaftueshëm mbi të për ta bërë praninë e tyre të pakthyeshme. Shpresa e tyre afatgjatë është që Izraeli të aneksojë zyrtarisht tokën.
Jashtë konfiskimeve të tokave, ekstremistët gjithashtu kanë krijuar me shpejtësi postet e vendbanimeve.
Në një nga al-Kanoub, në veri të Hebronit, imazhet satelitore treguan se karvanët dhe rrugët e reja ishin shfaqur në muajt që nga fillimi i luftës. Ndërkohë, një komunitet i tërë palestinez është dëbuar me forcë nga toka.
Ibrahim Shalalda, 50 vjeç, dhe xhaxhai i tij 80-vjeçar Mohammed, i thonë se shtëpitë e tyre ishin shkatërruar nga kolonët nëntorin e kaluar.
Ndërsa u afruam, një kolon ekstremist bllokoi rrugën me veturën e tij.
Së shpejti mbërritën izraelitë të armatosur. Grupi, disa ushtarë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), me shenja në uniformat e tyre dhe një i identifikuar si oficer i sigurisë së vendbanimeve, na ndaluan për kontrolle.
Roja e vendbanimit i detyroi dy fermerët palestinezë të dilnin nga vetura dhe i kontrolloi. Pas dy orësh, ushtarët e IDF-së i shpërndanë kolonët dhe lejuan veturën e BBC-së të largohej.
Izraeli filloi të vendosej në Bregun Perëndimor menjëherë pasi e pushtoi atë nga Jordania, më shumë se pesë dekada më parë.
Sot, rreth tre milionë palestinezë jetojnë në tokë, duke përjashtuar Jerusalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli, së bashku me rreth gjysmë milioni hebrenj izraelitë në më shumë se 130 vendbanime.
Por një figurë e shquar e qeverisë së ekstremit të djathtë, e cila mori detyrën në vitin 2022, po premton të dyfishojë numrin e kolonëve në një milion.
Bezalel Smotrich beson se hebrenjtë kanë të drejtën “e dhënë nga Zoti për këto toka”. Ai kryeson një nga dy partitë e së djathtës ekstreme, pro kolonëve, që kryeministri Benjamin Netanyahu solli në koalicionin e tij qeverisës pasi zgjedhjet e vitit 2022.
Smotrich shërben si ministër i Financave, por gjithashtu ka një post në ministrinë e Mbrojtjes, gjë që e ka lejuar atë të bëjë ndryshime gjithëpërfshirëse në politikat izraelite në Bregun Perëndimor.
Ai ka investuar masivisht financat e shtetit në vendbanime, duke përfshirë rrugët dhe infrastrukturën e re. Por ai ka krijuar gjithashtu një burokraci të re, duke marrë kompetenca nga ushtria, për të përshpejtuar ndërtimin e kolonive.
Smotrich mburret se po punonte drejt "ndryshimit të ADN-së" të sistemit, dhe për aneksimin “de facto” që do të ishte "më i lehtë për t'u gëlltitur në kontekstin ndërkombëtar dhe ligjor".
"Misioni i jetës sime"
Nacionalistët fetarë kanë qëndruar në periferi të politikës izraelite për dekada.
Por ideologjia e tyre dalëngadalë është bërë më popullore. Në zgjedhjet e vitit 2022, këto parti morën 13 vende në parlamentin izraelit prej 120 vendesh, dhe u bënë mbretër në koalicionin e krahut të djathtë të Netanyahut.
Gjatë luftës, Bezalel Smotrich dhe shoku i tij radikal, Itamar Ben-Gvir, tani ministër i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, kanë bërë vazhdimisht komente që nxisin ndarjen sociale dhe provokojnë aleatët perëndimorë të Izraelit.
Pasi ushtria izraelite arrestoi rezervistë të akuzuar për sulme seksuale ndaj një të burgosuri palestinez, Ben Gvir tha se ishte "e turpshme" për Izraelin të arrestonte "heronjtë tanë më të mirë". Këtë muaj, Smotrich tha se mund të ishte "e justifikuar dhe morale" të liheshin banorët e Gazës të vdisnin nga uria.
Por është në Bregun Perëndimor dhe në Gazë që e djathta ekstreme kërkon të bëjë ndryshime të përhershme.
"Ky është një grup izraelitësh që kanë qenë kundër çdo lloj kompromisi me palestinezët ose fqinjët e tjerë arabë të Izraelit”, thotë Anshel Pfeffer, një gazetare izraelite dhe korrespondente për “The Economist”.
Dhe me luftën në Gazë, e djathta ekstreme sheh një mundësi të re. Smotrich ka bërë thirrje që banorët palestinezë të largohen, për t’u hapur rrugë izraelitëve që mund "ta bëjnë shkretëtirën të lulëzojë".
Megjithëse Netanyahu e ka përjashtuar mundësinë e rivendosjes së vendbanimeve hebraike në Gazë, ai mbetet mbështetës i partive të së djathtës ekstreme, të cilat kërcënojnë ta shembin koalicionin e tij nëse ai nënshkruan një marrëveshje armëpushimi "të pamatur" për të sjellë në shtëpi pengjet izraelitë të mbajtur aktualisht nga Hamasi.
Logjika e ekstremistëve mund të jetë ajo që ndjek vetëm një pakicë izraelite. Por kjo po ndihmon në zgjatjen e luftës dhe po transformon në mënyrë dramatike peizazhin e Bregut Perëndimor - duke shkaktuar dëme afatgjata në shanset e paqes.