Botë

Dyshime për mashtrim me referendume, Zvicra nis hetimet

Zvicra

Zvicra

Foto: Associated Press

Prokurorët zviceranë kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për mashtrim, për mbledhjen e nënshkrimeve të rreme për një referendum.

Rasti po shihet si shkelje e gurthemelit të traditës së vendit për demokraci, raporton Reuters.
Kancelaria Federale, roli i së cilës është t’i mbikëqyrë zgjedhjet, ka thënë në një deklaratë se ka ngritur padi penale në prokurorinë federale kundër personave të panjohur.

Kancelari Federal i Zvicrës, Viktor Rossi, ka deklaruar se po e merr çështjen shumë seriozisht.

“Falsifikimi i nënshkrimeve për të fituar para është një abuzim i demokracisë sonë të drejtpërdrejtë”, i ka thënë ai transmetuesit SRF.

Për shkak të kufizimeve kohore për të marrë nënshkrime të mjaftueshme, disa fushata u janë drejtuar kompanive për t'i ndihmuar ato të mbledhin emra të mjaftueshëm. Kompanitë paguhen për shërbimin, duke çuar në pretendimet se disa kanë paraqitur të dhëna të rreme.

Në Zvicër nevojiten 100,000 nënshkrime për të nxitur një iniciativë, e cila propozon një ndryshim në kushtetutën e vendit, dhe 50,000 për një referendum mbi ligjet e miratuara nga Parlamenti.

Pasi të fillojë, referendumi çon në një votim kombëtar, si në rastet e viteve të fundit për çështjet e tilla si blerja e avionëve të rinj luftarakë, dhe ndalimi i mbulimit të fytyrës, i cili u bë i njohur si “ndalimi i burkës”.

Kancelaria ka bërë të ditur se kishte marrë indikacione për nënshkrime të rreme që preknin rreth 12 nisma popullore, por nuk pranoi të thoshte se cilat ishin ato.

Gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger”, e cila zbuloi fillimisht hetimin, ka raportuar se një kompani kishte ofruar të pajiste një fushatë referendumi me 10,000 nënshkrime, me një çmim prej 4.50 frangash zvicerane për secilin.

Autoritetet lokale më vonë zbuluan se midis 35% dhe 90% e nënshkrimeve ishin të pavlefshme, shumë më e lartë se shkalla normale e pavlefshmërisë prej 8% deri në 12%, sipas gazetës.

Ndër problemet ishin adresat e nënshkruesve që nuk ekzistonin, ose nënshkrime nga njerëz që nuk kishin jetuar në zonë për disa vite, sipas "Tages-Anzeiger".