Botë

Gjermania lëshon urdhër arrest për një ukrainas lidhur me shpërthimin në gazsjellësin Nord Stream

Nord Stream

Prokuroria shtetërore e Gjermanisë ka lëshuar urdhër arrest për një ukrainas lidhur me misterin e shpërthimit të gypave të gazsjellësit Nord Stream nën Detin Baltik në vitin 2022, raporton “BBC”. 

I dyshuari ukrainas Volodymyr Z ., siç kanë njoftuar mediumet gjermane,  është instruktor i zhytjes. 

Zëdhënësja e Prokurorisë së Gjermanisë, Ines Peterson, ka refuzuar të komentojë rastin, duke i thënë “BBC” se zyra e saj kurrë nuk komenton çështjet për të mos rrezikuar hetimet e t’u jepet rast të dyshuarve për të ikur. 

Por, zëdhënësja e Prokurorisë së përgjithshme në Poloni, Anna Adamiak, ka thënë se një urdhër arrest evropian vërtetë është dërguar nga prokurorët gjermanë. 

Kur zyrtarët policorë polakë kanë shkuar në shtëpinë e Volodymyr Z. më herët në korrik, ai ishte larguar për në Ukrainë, ka thënë Adamiak. 

Ai kishte jetuar në një zonë të qetë në Pruszkow, qytet në afërsi të kryeqendrës Varshavës. 

Sipas një hetimi nga tri mediumet gjermane, përfshirë ARD, Volodymyr Z. ishte pjesë e një ekipi të zhytësve ukrainas me përvojë që në shtator të vitit 2022 kishin marrë një jaht gjerman, kishin lundruar për në Detin Baltik dhe kishin vendosur eksploziv, duke hedhur në ajër tre nga katër gypat e Nord Stream. 

Një burrë dhe një grua, të dy ukrainas, po ashtu dyshohen se janë përfshirë. 

Nëse raportimet e mediave janë të vërtetë, dhe se një grup i zhytësve ukrainas kanë hedhur në erë gypat, prapë nuk dihet se me direktiva të kujt ishte sulmi.