Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus, do të drejtojë një qeveri të përkohshme të Bangladeshit, ka njoftuar zyra e presidentit, raporton “BBC”.
Vendimi është marrë në takim mes presidentit Mohammed Shahabuddin, liderëve ushtarakë dhe krerëve të grupit Studentët kundër Diskriminimit, ka njoftuar Presidenca e Bangladeshit.
Ky vendim vjen një ditë pasi që kryeministrja Sheikh Hasina është detyruar të japë dorëheqje dhe iku nga vendi pas protestave të përgjakshme.
Protestat ishin drejtuar nga studentët, ndërsa përshkallëzuan në dhunë e u vranë qindra persona.
Liderët e studentëve kanë thënë qartë se nuk do të pranojnë një qeveri të drejtuar nga ushtria dhe kanë kërkuar që Yunusi ta drejtojë administratën e përkohshme.
Yunus, që fitoi Nobelin për Paqe në vitin 2006, ka thënë: “Kur studentët që sakrifikojnë aq shumë më kërkojnë këtë, atëherë si mund të refuzojë?”
Ai po kthehet në Daka nga Parisi, ku i ishte nënshtruar një ndërhyrje të vogël, ka thënë zëdhënësi i tij.
“Presidenti u ka kërkuar njerëzve të ndihmojnë të dilet nga kriza. Formimi i shpejt i një qeverie të përkohshme është e nevojshme për ta tejkaluar krizën”, është thënë nga Presidenca.
Sipas mediumeve lokale, mbi 100 persona vdiqën në përplasjes e dhunshme në Bangladesh të hënën, që ishte dita me më së shumti vdekje që kur nisën protestat masive.
Po ashtu u dogjën qindra stacione policore, ndërsa Asociacioni i Shërbimit Policor të Bangladeshit ka shpallur grevë “derisa çdo anëtarë i policisë të jetë i sigurt”.
Grupi ka tentuar t’ia lë fajin autoriteteve, duke thënë se “ishin të detyruar të gjuanin”.
Në total mbi 400 persona besohet se kanë humbur jetën, ndërsa protestuesit janë përballur me shtypjen e ashpër nga forcat qeveritare.
Shefi i Policisë së Bangladeshit është shkarkuar të mërkurën, ka thënë Presidenca.
Protestat nisën në fillim të korrikut me një kërkesë paqësore nga studentët që të hiqet kuota për punë në shërbim civil, por përshkallëzoi në një lëvizje anti-qeveritare.