Botë

OKB: Numër i madh i plagëve me armë zjarri mes të lënduarve në Gaza

Izrael-Gaza

Shumica e njerëzve të trajtuar për lëndime pas turmës rreth kamionëve me ndihma në Gaza të enjten, ishin të plagosur me armë zjarri, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara.

Hetuesit e OKB-së kanë vizituar spitalin e qytetit të Gazës, al-Shifa dhe kanë parë rreth 200 persona duke marrë ende trajtim, raportoi BBC.

Hamasi i cili e qeverisë Gazën, ka akuzuar Izraelin për gjuajtje me armë ndaj civilëve, mirëpo Izraeli ka thënë se shumica e njerëzve kanë vdekur në stampedo, pasi trupat e saj kishin gjuajtur në ajër.

Liderët në të gjithë botën kanë kërkuar për një hetim të plotë të ngjarjes.

Incidenti ka ndodhur pasi qindra njerëz ishin grumbulluar rreth kamionëve me ndihma për të marrë ushqim, në orët e mëngjesit të së enjtes.

Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se uria është shumë e pahmangshme në veri të Gazës, e cila ka pranuar shumë pak ndihmë në javët e fundit, dhe ku vlerësohet se 300,000 njerëz janë duke jetuar me pak ushqim ose ujë të pastër.

Ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka thënë se të paktën 112 persona u vranë në incident dhe se 760 të tjerë u plagosën.

Në një deklaratë në mediat sociale, Danial Hagari, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), tha se "Dhjetëra Gazanë u plagosën si rezultat i shtyrjes dhe shkeljes".