Botë

Parlamentit të Ganës i ndërpritet rryma për shkak të borxhit prej 1.8 milionë dollarësh

Descriptive Text

Kompania shtetërore e Energjisë Elektrike e Ganës (ECG) të enjten ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Parlamentin, për shkak të një borxhi prej 1.8 milionë dollarësh.

Shkëputja e energjisë ndërpreu një debat mbi fjalimin e presidentit për gjendjen e kombit, raportoi BBC.

Një video e shpërndarë nga mediat lokale tregoi deputetët në dhomën me ndriçim të dobët duke brohoritur: "Dumsor, dumsor", që do të thotë ndërprerje e energjisë në gjuhën lokale Akan.

Mediat lokale raportuan se një gjenerator riktheu energjinë në dhomë disa minuta më vonë.

Por pjesë të tjera të ndërtesës së parlamentit mbetën pa energji për pjesën më të madhe të ditës përpara se të riktheheshin furnizimet.

Energjia elektrike u rivendos më vonë gjatë ditës pasi parlamenti pagoi një pjesë të borxhit dhe u zotua për të shlyer pjesën tjetër brenda një jave.

Zyrtari parlamentar i financave, Ebenezer Ahumah Djietror, e ka mohuar se parlamenti i detyrohej shumës së cituar nga kompania e energjisë. Ai ka thënë se sistemi i kompanisë dështoi të regjistronte pagesat e fundit të bëra nga parlamenti, duke këmbëngulur se fatura e papaguar e energjisë ishte rreth 950,000 dollarë.