Botë

Gjermania nis bisedimet për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

(AP) - Gjermania ka kërkuar të çojë përpara bisedimet për një traktat të paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit të mërkurën, duke mirëpritur ministrat e jashtëm të këtyre vendeve në Berlin, ka raportuar Associated Press.

Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock priti homologët Ararat Mirzoyan të Armenisë dhe Jeyhun Bayramov të Azerbajxhanit, në një vilë të izoluar qeveritare ku kaluan dy ditë bisedime.

Bisedimet e fundit filluan pas një takimi më 17 shkurt mes kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministrit armen Nikol Pashinyan dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynich. Scholzi theksoi gatishmërinë e Gjermanisë për përfundimin e bisedimeve të paqes, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.

“Ne besojmë se Armenia dhe Azerbajxhani tani kanë mundësinë për të arritur paqen pas shumë vitesh konflikti”, ka thënë Baerbocku, e cila vizitoi të dy vendet në nëntor. “Çfarë po shohim tani janë hapa të guximshëm nga dy vendet, për të lënë të kaluarën prapa dhe për të punuar drejt paqes për njerëzit e tyre”.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë një histori të gjatë të mosmarrëveshjeve për tokë. Më e vonshmja la të paktën katër ushtarë të vdekur armen në mes të shkurtit. Këto vende janë zotuar për të nënshkruar një traktat paqeje, por nuk është bërë progres i dukshëm dhe tensionet kanë vazhduar të rriten për shkak të mosbesimit të ndërsjellë.

“Dialogu i drejtpërdrejtë si sot dhe nesër është mënyra më e mirë për të bërë progres”, ka thënë Baerbock.