Botë

Britania e Madhe sanksionon drejtuesit e burgut ku vdiq Navalny

Britania e Madhe ka ngrirë asetet e gjashtë drejtuesve të burgut të Arktikut, ku vdiq lideri i opozitës Alexei Navalny të premten, shkruan BBC.

Individëve të sanksionuar u është ndaluar edhe udhëtimi në Britani.

Udhëheqësit perëndimorë thonë se fajin për vdekjen e Navalnyt e kanë autoritetet ruse, përfshirë presidentin Putin.

Por kjo është mohuar nga Kremlini.

Autoritetet ruse kanë refuzuar t’ia japin familjes trupin e Navalnyt. Kanë dhënë informata të pakta dhe kontradiktore rreth vdekjes së tij.

Qeveria britanike ka kërkuar gjithashtu që trupi i Navalnyt t'i lirohet menjëherë familjes së tij dhe të bëhet hetim i plotë dhe transparent.

Apeli nga Britania i bën jehonë thirrjeve të ngjashme nga nëna e Navalnyt, e cila u filmua të martën jashtë burgut ku ai vdiq duke thënë se po përpiqej ta shihte për pesë ditë trupin e djalit të saj, por as nuk e dinte se ku ishte.