E majta ekstreme politike e Gjermanisë, Die Linke, ka njoftuar se do të shpërndajë zyrtarisht fraksionin e saj parlamentar pasi një nga zyrtaret më të njohura të partisë, Sahra Wagenknecht, formoi parti të re politike.
Përfaqësuesi i së majtës, Dietmar Bartsch, ka thënë se gjithë kjo situatë është një disfatë e hidhur për ta.
“Kjo është sigurisht një pikë kthese historike dhe një humbje e hidhur për të gjithë ne”, ka thënë Bartsch.
Përfaqësuesit e së majtës do të vazhdojnë të jenë deputetë të Bundestagut gjerman, por nuk do të jenë nën siglën e një partie.
Shpërbërja e fraksionit parlamentar do të thotë gjithashtu se partia humbet mbështetjen financiare dhe do të detyrohet të shkarkojë personel të caktuar dhe të likuidojë pasuri.
Shpërbërja e së majtës vjen pasi Wagenknecht dha dorëheqjen dhe themeloi një parti të re, duke marrë me vete nëntë deputetë nga e majta.
“Wagenknech kritikoi mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën dhe bëri thirrje për rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën. Pikëpamjet e saj politike për Rusinë kanë krijuar ndarje të thella brenda partisë", shkruan Politico.
E majta po përballet me një rënie të madhe të popullaritetit në Gjermani. Sipas sondazheve të fundit, partia gëzon vetëm tre për qind të mbështetjes, që është nën pragun e nevojshëm për të hyrë në parlament.