Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar Izraelin se qëllimi i tij – “shkatërrimi total i Hamasit”, lëvizjes islamike palestineze në Gaza - duhet të “specifikohet” pasi ekziston rreziku që mund të nënkuptojë 10 vjet luftë.
“Shkatërrimi total i Hamasit, çfarë është? A mendon dikush që kjo është e mundur? Nëse po, lufta do të zgjasë 10 vjet. Unë nuk mendoj se dikush seriozisht e di se si ta përcaktojë atë qëllim. Prandaj, ai synim duhet të specifikohet”, u tha Macron gazetarëve në Dubai gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Klimës (COP28).
Ai ka thënë se një luftë e mirë kundër terrorizmit nuk do të thotë “bombardim sistematik dhe i vazhdueshëm”.
Pas një armëpushimi shtatëditor, të premten Izraeli vazhdoi sulmet në Gaza në përgjigje të inkursionit të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor. Izraeli ka njoftuar më parë se qëllimi i tij është shkatërrimi i plotë i Hamasit, i cili është në pushtet në Rripin e Gazës.
Macron ka thënë se përpjekjet duhet të dyfishohen për të arritur armëpushim të qëndrueshëm në luftë.
“Vazhdimi i luftimeve në Rripin e Gazës... është shqetësues dhe temë e shumë bisedimeve në Dubai. Kjo situatë kërkon përpjekje të dyfishtë për të arritur armëpushim të qëndrueshëm, për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për t'i ofruar popullit të Gazës ndihmën për të cilën ata kanë nevojë urgjente dhe për t'i dhënë garanci Izraelit se siguria e tij është kthyer”, ka thënë Macron.