Izraeli pas përfundimit të armëpushimit ka vazhduar fushatën ushtarake në Gaza. Të shtunën, cak i bombardimeve ishte jugu, në të cilin janë evakuuar mijëra palestinezë nga veriu.
Paqja e brishtë e armëpushimit është veç kujtim në Gaza. Edhe një herë, Rripi i Gazës është zonë e luftimeve aktive. Izraeli ka vazhduar fushatën ushtarake me serinë e bombardimeve nga veriu në jug të Gazës.
Edhe një herë, palestinezët nuk kanë vend të sigurt. Cak i bombardimeve ishte lagjja Khan Younis.
Ushtria izraelite ka ashpërsuar sulmet pas përfundimit të armëpushimit me Hamasin dhe ka ngritur shqetësimet për vrasjen e civilëve. Shumë banorë janë vendosur në fushë të hapur.
Sulmet e Izraelit janë përqendruar në këtë lagje dhe të premten ushtria izraelite u kishte bërë thirrje banorëve që të largohen.
“Ushtria telefonoi fqinjin tonë dhe i tha: ‘ju jeni cak. Ne do të bombardojnë shtëpitë dhe ju duhet të largoheni’. Ne u thamë se nuk kemi asgjë këtu, përse dëshironi ta bombardoni? Ata pastaj na thanë: ‘Ju duhet të largoheni, është për të mirën tuaj’”, ka thënë Hekmat Al Qedra, banore e jugut të Gazës.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë deklaruar se nuk ka pasur shumë palestinezë të larguar nga lagjja që ishin cak i bombardimeve izraelite.
Izraeli ka pretenduar se në këtë zonë janë më shumë se 50 caqe të Hamasit. Të paktën 200 palestinezë janë vrarë qëkur vazhduan luftimet të premten në mëngjes.
Ndërkaq më shumë se 15 mijë palestinezë janë vrarë që prej fillimit të luftës më 7 tetor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të sekretarit të shtetit, Antony Blinken, i kanë bërë thirrje Izraelit që të shmangë zhvendosjen e palestinezëve nga shtëpitë e tyre dhe të bëjë gjithçka për të mbrojtur civilët palestinezë gjatë ofensivës kundër Hamasit.
Paralajmërimi i Macronit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar Izraelin se qëllimi për “shkatërrimin total të Hamasit”, lëvizjes islamike palestineze në Gaza - duhet të “specifikohet” pasi ekziston rreziku se lufta mund të zgjasë deri në dhjetë vjet.
“Shkatërrimi total i Hamasit, çfarë është? A mendon dikush që kjo është e mundur? Nëse po, lufta do të zgjasë 10 vjet. Unë nuk mendoj se dikush seriozisht e di se si ta përcaktojë atë qëllim. Prandaj, ai synim duhet të specifikohet”, u tha Macron gazetarëve në Dubai gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Klimës (COP28).
Ai ka thënë se një luftë e mirë kundër terrorizmit nuk do të thotë “bombardim sistematik dhe i vazhdueshëm”.
Pas armëpushimit shtatëditor, të premten Izraeli vazhdoi sulmet në Gaza në përgjigje të inkursionit të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor. Izraeli ka njoftuar më parë se qëllimi i tij është shkatërrimi i plotë i Hamasit, i cili është në pushtet në Rripin e Gazës.
Macron ka thënë se përpjekjet duhet të dyfishohen për të arritur armëpushim të qëndrueshëm në luftë.
“Vazhdimi i luftimeve në Rripin e Gazës... është shqetësues dhe temë e shumë bisedimeve në Dubai. Kjo situatë kërkon përpjekje të dyfishtë për të arritur armëpushim të qëndrueshëm, për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për t'i ofruar popullit të Gazës ndihmën për të cilën ata kanë nevojë urgjente dhe për t'i dhënë garanci Izraelit se siguria e tij është kthyer”, ka thënë Macron.
Akuzat e Erdoganit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se pret që Gjykata Ndërkombëtare Penale të sigurojë përgjegjësi për "kasapët e Gazës", veçanërisht për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Erdogan theksoi nevojën për dhënien e dënimeve të nevojshme për ata që janë kapur në flagrancë në incidentet e raportuara në Gaza, shkruan Anadolu.
“Ata do të ndjekin nga afër procedurat në Hagë”, tha Erdogan, duke shprehur shpresën se vendimi do të sjellë një ndjenjë drejtësie për ata që presin.
Ky është terrorizëm shtetëror. Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur kundër këtij terrorizmi shtetëror. Masakra e administratës së Netanyahut në Gaza është gdhendur në histori si një "njollë e zezë", tha Erdogan, duke shtuar se vendet që e mbështesin pa kushte këtë janë "të njollosura gjithashtu".
"Zyrtarët izraelitë, të cilët janë njohur si viktima të gjenocidit, tani janë kthyer në vrasës të paraardhësve të tyre", tha Erdogan.
Ushtria izraelite rifilloi bombardimet në Rripin e Gazës herët të premten pasi shpalli fundin e një pauze humanitare njëjavore me grupin e rezistencës palestineze, Hamasin.
Pauza humanitare filloi më 24 nëntor si pjesë e një marrëveshjeje midis Izraelit dhe Hamasit për të ndalur përkohësisht luftimet për të lejuar shkëmbimin e pengjeve dhe dërgimin e ndihmave.
Rrezikimi i fëmijëve
Agjencia e OKB-së për fëmijë po bën thirrje për armëpushim të qëndrueshëm humanitar mes Izraelit dhe Hamasit.
Pas rifillimit të operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës në orët e para të së premtes, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta, duke u bërë thirrje palëve dhe shteteve me ndikim që të sigurojnë armëpushimin.
“Duhet të zbatohet një armëpushim afatgjatë. Alternativa është e paimagjinueshme për njerëzit që, siç më tha një palestinez, tashmë jetojnë në një makth”, ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, shkruan Euronews.
“Mosveprimi në thelb është miratimi i vrasjes së fëmijëve. Por ja ku jemi. Bombat filluan vetëm pak sekonda pas armëpushimit”, ka shtuar ai.
Duke cituar të dhëna nga autoritetet shëndetësore të Gazës, Organizata Botërore e Shëndetit e OKB-së (OBSH) ka thënë se më shumë se 15 mijë njerëz kishin vdekur që nga 27 nëntori. Nga ky numër 41 për qind - ose 6.150 - ishin fëmijë.
“Është thellësisht shqetësuese të dëgjosh se si disa kanë qenë në gjendje të anashkalojnë vdekjet tragjike të mijëra e mijëra djemve dhe vajzave në Gaza dhe tani me sa duket janë të kënaqur me tmerret, sulmet duke filluar përsëri. Të pranosh sakrificën e fëmijëve në Gaza është heqja dorë nga njerëzimi”, ka thënë Elder.
OBSH raportoi se 18 nga 36 spitale janë pjesërisht funksionale dhe kapaciteti total i shtretërve në Gaza ka rënë nga 3.500 në vetëm 1.562. Duke pasur parasysh nevojat ekstreme, aktualisht kërkohen të paktën 5 mijë shtretër.
Evakuimi i foshnjave
Foshnjat e lindura para kohe që janë evakuuar nga spitali Shifa në Gaza gjatë muajit nëntor, po marrin trajtimin e duhur shëndetësor në Egjipt. Foshnjat kaluan në Egjipt nga pika kufitare Rafah, nga zyrtarët e Kryqit të Kuq.
Autoritetet shëndetësore në Egjipt kanë thënë se 50 për qind e 16 foshnjave janë përmirësuar në shëndet.
Tetë foshnja janë ende nëpër inkubatorë. Autoritetet kanë thënë se disa prej foshnjave janë në gjendje kritike, por pritet të përmirësohen gjatë ditëve të ardhshme.