Ministri i Jashtëm i Hungarisë Péter Szijjártó tha se sanksionet e reja kundër Rusisë nuk janë të nevojshme, sepse ato “i shkaktojnë më shumë dëm Evropës se Rusisë”. Ai këto komente i bëri në një intervistë me median shtetërore ruse TASS të premten.
“Nëse i shikojmë sanksionet nga një këndvështrim pragmatik, shohim se ato i shkaktojnë më shumë dëm Evropës sesa Rusisë”, tha ai, sipas TASS, duke shtuar se “paketat e reja të sanksioneve nuk janë të nevojshme”.
Szijjártó tha se furnizimet me grurë ukrainas në vendet e Evropës Qendrore do të shkatërrojnë sektorin e tyre bujqësor.
“Nëse gruri ukrainas fillon të përhapet në vendet e Evropës Qendrore, ai patjetër do të shkatërrojë tregjet bujqësore të Evropës Qendrore. Për të mos përmendur fermerët tanë, të cilët padyshim duhet t'i mbrojmë”, vazhdoi Szijjártó, cituar nga TASS.
Polonia dhe Sllovakia kanë vendosur gjithashtu kufizime në eksportet e grurit ukrainas duke përmendur të njëjtat arsye, pasi Bashkimi Evropian vendosi të mos zgjasë ndalimin e tij për importet në ato vende dhe shtetet e tjera të BE-së Rumani dhe Bullgari.
Sipas Szijjártó, Hungaria është e gatshme të sigurojë tranzit falas të grurit ukrainas përmes territorit të saj. Ai gjithashtu vuri në dukje se fillimisht, marrëveshja për linjat e solidaritetit nënkuptonte leje vetëm për transitin e produkteve bujqësore ukrainase.
“Siç e kuptoj unë, ata (Ukraina) do të preferonin të shpërndanin grurë në Evropën Qendrore, por marrëveshja fillestare për linjat e solidaritetit nuk kishte të bënte me këtë”, tha ai, sipas TASS, duke shtuar se marrëveshja nënkuptonte “lejen për tranzit dhe jo për tregtinë dypalëshe”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.