Botë

Shtetet skandinave përballen me vërshime

Stuhia “Hans” ka goditur shtetet skandinave dhe të Baltikut për disa ditë, duke shkaktuar përmbytje në disa zona. Rrëshqitje të dheut është raportuar në pjesën malore të Norvegjisë.

Policia norvegjeze ka njoftuar se 600 persona janë evakuuar nga rajoni verior i Oslos. Mijëra të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike shkaku i stuhisë së fuqishme, raportoi AP.

Ndërkaq në Suedi lumi Susaback ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa zona. Shërbimet meteorologjike kanë njoftuar se të reshura të shiut pritet të ketë edhe të mërkurën dhe të enjten.

Dhjetëra rrugë janë mbyllur për shkak të dëmeve nga shiu dhe rrëshqitjet e dheut. Dëme të mëdha nga vërshimet janë shkaktuar në qytetin turistik Are të Suedisë.

Ndërkaq autoritetet në Estoni kanë raportuar se 5 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e stuhisë së fuqishme “Hans”.