Botë

Zelensky: Putini do të vdesë si humbës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka parashikuar se homologu rus Vladimir Putin do të vdesë si humbës pasi thotë se Ukraina do të triumfojë në luftën me Rusinë.

Presidenti ukrainas mendon se forcat ruse e dinë “thellë në zemrat e tyre” se nuk mund ta fitojnë luftën në Ukrainë dhe hodhi poshtë pretendimet se konflikti mund të zgjasë me dekada.

“Nuk mundet. Putin nuk do të jetojë aq shumë vite. Ai nuk luftoi në Siri me ritmin që po lufton në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ai nuk do të qëndrojë 30 vjet. Ai nuk do të ekzistojë, ai do të vdesë. Kjo, padyshim, është e vërtetë absolute”, ka thënë Zelensky për televizionin brazilian Globo.

Zelensky madje parashikoi se autokrati rus “nuk do të mbijetojë as 10 vjet”.

Presidenti ukrainas shpjegoi se veprimet e trupave ruse tregojnë se ata “nuk janë në gjendje të pushtojnë plotësisht Ukrainën dhe të na shkatërrojnë”.

“Ata ishin të aftë në fillim të luftës. Ata menduan se do ta bënin [pushtimin e plotë]. Ne bëmë diçka brenda dhe jashtë shtetit dhe ishim në gjendje të bëheshim më të fortë se ata”, ka thënë ai.

Zelensky u zotua t'i rezistojë çdo përpjekjeje nga Rusia për të nënshtruar vendin e tij – “ose tani ose në të ardhmen”.

“Për sa kohë të jemi gjallë, nuk do t'i lëmë të bëhen aq të fortë sa ishin”, ka shtuar ai.

Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi