Botë

Joe Biden nis vizitën në Evropë me dy takime në Londër

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nisur vizitat në Evropë. Në Londër, Biden u takua fillimisht me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, e më vonë edhe mbretin Charles III. Agjenda e Bidenit në Evropë përfshin edhe pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, e më pas do të ndalojë edhe tek anëtarja e fundit e NATO-s, Finlanda

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është pritur të hënën nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak në Doëning Street. Sunak e ka vlerësuar privilegj takimin me Bidenin, teksa tha se me të ka folur për forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit të tyre si anëtarë të NATO-s. Biden i ka vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve si “forta si shkëmbi”.

Ky është takimi i gjashtë midis Bidenit dhe Sunakut që kur kryeministri britanik mori postin e tij në tetor. Ata kanë diskutuar mbi një sërë çështjesh globale, përfshirë luftën në Ukrainë. Të dyja vendet janë mbështetësit më të fortë të Kievit dhe Mbretëria e Bashkuar e ka shtyrë Shtëpinë e Bardhë të ndërmarrë hapa më të mëdhenj në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Pas takimit me kryeministrin britanik, presidenti amerikan ka shkuar në kështjellën Windsor, ku është takuar me Charlesin e tretë për herë të parë që kur mbreti u ul në fron. Biden dhe Charles kanë thënë se takimi do të shfrytëzohet për ta rritur vëmendjen ndaj çështjeve klimatike.

Kanë përmendur edhe organizimin e një forumi në mënyrë që të inkurajojnë kompanitë private të angazhohen në më shumë përpjekje për energjinë e pastër, veçanërisht për ekonomitë në zhvillim. Pjesa e bisedimeve për klimën gjatë kësaj vizitë nënvizon edhe rëndësinë që ka mjedisi për 74-vjeçarin Charles, i cili ka luftuar prej kohësh për ta mbrojtur jetën e egër dhe për t’i luftuar ndryshimet klimatike. Biden pritet t’i vizitojë edhe disa vende të tjera evropiane. (Përgatiti Blerta Haxhiu)