Zvicra dhe Austria kanë nënshkruar një deklaratë për t'iu bashkuar sistemit evropian të mbrojtjes ajrore Sky Shield të premten, shkruan BBC.
Sistemi u iniciua nga Gjermania pas pushtimit rus të Ukrainës, dhe është krijuar për të lejuar vendet evropiane të blejnë sisteme mbrojtëse dhe të stërviten së bashku.
Është duke u parë si një moment historik për Zvicrën neutrale.
Por disa zviceranë kanë frikë se ky veprim komprometon neutralitetin e gjatë të vendit të tyre.
Bashkimi në një sistem të mbrojtjes në mbarë Evropën do të ishte i paimagjinueshëm vetëm disa vite më parë, por pushtimi rus i Ukrainës ka ndërruar gjithçka.
Kontinenti është i paqëndrueshëm dhe për shumë vende evropiane përmirësimi i mbrojtjes ajrore është bërë i pashmangshëm. Qeveria zvicerane thotë se puna me fqinjët evropianë për një sistem të përbashkët ka kuptim strategjik dhe financiar.
Austria është gjithashtu një vend neutral dhe qeveria në Vjenë argumenton se duke bashkuar burimet ushtarake është në gjendje të ruajë atë status.
Kjo nuk është hera e parë që Zvicra “thyen” neutralitetin e rreptë.
Si pjesë e partneritetit të NATO-s për paqe, ajo ka një batalion paqeruajtës në Kosovë qe dy dekada. Dhe, për ta zemëruar Moskën, ajo i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
19 vende janë regjistruar aktualisht për nismën Sky Shield, duke përfshirë Britaninë e Madhe, vendet nordike dhe baltike, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.