Botë

Bideni përkrah anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti amerikan, Joe Biden, do ta presë në takim në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrin e Suedisë, të mërkurën, në shenjë përkrahjeje për anëtarësimin e vendit nordik në NATO, një javë përpara samitit të aleancës.

Presidenti Biden dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson do të “rishikojnë bashkëpunimin mbi sigurinë dhe riafirmojnë pikëpamjet e tyre mbi anëtarësimin sa më të shpejtë të Suedisë në NATO”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë mbi takimin. Liderët do të diskutojnë po ashtu për luftën në Ukrainë dhe çështje që përfshijnë Kinën.

Suedia dhe fqinji i saj, Finlanda i dhanë fund politikës afatgjatë për mospërfshirje ushtarake pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Të dyja shtetet aplikuan për anëtarësim në NATO, në kërkim të mbrojtjes nën sigurinë e organizatës.

Finlanda, e cila ndan më shumë se 1.300 kilometra vijë kufitare me Rusinë, hyri në NATO në muajin prill. Por, Suedia, e cila ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet, nuk është pranuar ende në NATO për shkak të mungesës së votës nga Turqia dhe Hungaria. NATO-ja kërkon miratimin unanim të të gjithë anëtarëve për t’u zgjeruar.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka rezistuar, bashkë me qeverinë e tij duke akuzuar Suedinë se është shumë e mëshirshme ndaj grupeve që Turqia thotë se përbëjnë kërcënim për sigurinë, duke përfshirë organizatat militante kurde dhe njerëzit e lidhur me përpjekjen për grusht shtet të vitit 2016 në Turqi.

Javën e kaluar, presidenti turk dënoi veprimin e shtetit nordik, të djegies së Kuranit. Policia suedeze lejoi protestën që përfshiu vënien në flakë të Kuranit, më 30 qershor, jashtë një xhamie në qendër të Stokholmit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se të enjten do të zhvillojë një takim me zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda për të kapërcyer kundërshtimet e Turqisë.

Hungaria gjithashtu nuk e ka ratifikuar ende kërkesën e Suedisë. Ligjvënësit hungarezë kanë bërë me dije se kjo nuk do të ndodhë deri në seancën legjislative të vjeshtës.