Botë

Shkolla në Japoni e ndan nga të tjerët nxënësin sepse i bëri flokët gërsheta

Rregullat e rrepta për modelin e flokëve në shkollat në Japoni kanë tërhequr kritika pasi një adoleshent me raca të përziera u nda nga studentët e tjerë në ceremoninë e diplomimit të tyre, sepse ai kishte bërë flokët gërsheta për të nderuar trashëgiminë e racës së zezë.

Studenti u detyrua të ulej vetëm në pjesën e pasme të sallës gjatë një ceremonie diplomimi në shkollën e tij në Himeji, dhe iu tha të përgjigjej kur thirrej emri i tij, shkroi Guardian. 

18-vjeçari, i cili ka një baba afrikano-amerikan dhe nënë japoneze, tha se kishte thurur flokët e tij, të cilët janë natyralisht kaçurrela, për t'i bërë ato të duken më të rregullta për ceremoninë.

“Nuk isha në gjendje të krijoja kujtime të lumtura për të shënuar tre vitet që kalova në shkollë me miqtë e mi”, tha ai. “Isha i frustruar sepse ndjeva sikur po më thoshin: ‘Kjo nuk është dita jote e veçantë’. Modeli i flokëve përfaqësonte rrënjët dhe kulturën e babait tim”.

Zëvendësdrejtori i shkollës tha se nxënësi ishte veçuar thjesht për mosrespektimin e rregullave për prerjen e flokëve.

Djali thuhet se u largua në mes të ceremonisë, por u kthye më vonë për të marrë diplomën. Megjithatë, ai u detyrua të priste në një dhomë të zbrazët dhe u ndoq në tualet nga një mësues i cili më vonë i tha të largohej nga ambientet e shkollës ndërsa priste miqtë e tij.