Botë

Zakharova: Britania mbron skenarin jugosllav në Ukrainë

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Maria Zakharova, ka sulmuar edhe një herë qeverinë e Britanisë së Madhe për “trajtim çnjerëzor” në Ukrainë, shkruan BBC.

Këto akuza vijnë nga zëdhënësja e një vendi që prej më shumë se një viti po kryen agresion të vazhdueshëm ndaj një shteti të njohur ndërkombëtarisht.

Zakharova fajëson më së shumti Britaninë e Madhe për sasitë e mëdha të armëve që ky vend i dërgon ushtrisë ukrainase, të cilat ajo thotë se po dëmtojnë shëndetin e ushtarëve.

“Gjithçka bëhet sipas skenarit jugosllav. Këto predha jo vetëm që vrasin, por edhe ndotin mjedisin”, ka shkruar Zakharova në Telegram.

Ajo ka thënë se në ish-Jugosllavi, për shkak të shëndetit të dobët kanë vuajtur ushtarët e NATO-s, konkretisht italianët, të cilët më pas kanë shkuar në gjykatë për një kohë të gjatë për të marrë dëmshpërblim nga Aleanca për dëmtimin e shëndetit, por pretendimet e tyre janë hedhur poshtë.

“Kur do të zgjohen në Ukrainë? Nuk po flas për të varurit në rrugën Bankova, por për ata që ende mund të mendojnë. Bamirësit e tyre po i helmojnë”, ka thënë Zakharova.

Ministrja britanike e Mbrojtjes, Annabel Goldie, ka thënë se Londra, së bashku me tanket Challenger 2, do të dërgojë municion në Ukrainë, duke përfshirë predha blinduese që përmbajnë uranium.