Botë

Bideni, me shëtitjen në Kiev, e sfidon Putinin

Vizita e presidentit amerikan Joe Biden ne Kiev te Ukraines. Shetitja me presidentin e Ukraines, Volodymyr Zelensky

Presidenti Joe Biden u zotua para homologut Zelenskyy dhe popullit ukrainas se vazhdojnë ta kenë mbështetjen e botës demokratike kundër agresionit rus në prag të njëvjetorit të tij. Zelenskyy pos që ka kërkuar edhe më shumë armë perëndimore, ka thënë se Ukraina po mbron edhe Evropën demokratike nga mësymja e Vladimir Putinit. Rusia ishte njoftuar disa orë para udhëtimit për vizitën e planifikuar “muaj me radhë”

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka befasuar me vizitën e së hënës në Ukrainë. Ai madje ka shëtitur në rrugët e Kievit. Lideri amerikan është zotuar para homologut Volodymyr Zelenskyy dhe popullit ukrainas se bota perëndimore demokratike do të vazhdojë t’i mbështesë në luftën kundër agresionit të Rusisë së Vladimir Putinit.

Shtetet e Bashkuara do të jenë në krah të Ukrainës kundër Rusisë “pavarësisht sa do të zgjasë”, ka shtuar shefi i Shtëpisë së Bardhë.

“Kemi besim të plotë se ju do të fitoni”, ka thënë Biden, duke vlerësuar se presidentit rus, Vladimir Putin, i dolën tmerrësisht keq hesapet e luftës duke besuar se Perëndimi do t’ia kthente shpinën Ukrainës.

Analistët e kanë konsideruar vizitën në prag të njëvjetorit të luftës si shenjë të solidaritetit perëndimor kur pritet të intensifikohen ofensivat ruse në terren.

“Demokracia është me ju. Amerikanët janë me ju dhe bota është me ju. Kievi më ka marrë një pjesë të zemrës sime, më duhet ta pranoj”, ka deklaruar Biden. “Kam qenë këtu gjashtë herë si zëvendëspresident. Njëherë si president”.

“Fitore e përbashkët”

Duke folur në Pallatin Marrinsky, Bideni ka kujtuar se si një vit më parë kishte druajtur se forcat ruse do të mund ta pushtonin kryeqytetin e Ukrainës.

“Ndava mendjen të kthehesha përsëri para se presidenti i ri të betohej në Kiev. Andaj, president Zelensky, ju përnjëmend po më nderoni mua me praninë tuaj”, ka thënë ai.

Presidenti Zelenskyy ka thënë gjatë konferencës se takimi do ta afrojë edhe më shumë atë që e ka quajtur “fitore të përbashkët” kundër Rusisë.

“Ne mund dhe duhet ta fitojmë luftën që 2023-ta të jetë viti i fitores. Dua të theksoj se kjo luftë ruse, e paprovokuar dhe kriminale, kundër Ukrainës dhe mbarë botës demokratike duhet të përfundojë me çlirimin e tokës ukrainase nga pushtimi rus, me garanci të forta të sigurisë afatgjate të vendit tonë, Evropës dhe botës mbarë”, ka deklaruar Zelenskyy.

Vizita e Bidenit është bërë në një moment kritik në luftë, derisa Bideni po mundohet t’i bashkojë aleatët në mbështetje të Ukrainës. Rusia dhe Ukraina po përgatiten për ofensiva të ashpra pranvere. Zelenski vazhdimisht po kërkon më shumë armatim nga Perëndimi.

Vizita u planifikua para disa muajsh

Zelenskyy tha gjithashtu se të dy liderët kanë diskutuar për mundësinë e dërgimit të armëve të tjera që deri më tani nuk ishin furnizuar. Ai ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për avionë luftarakë F-16, diçka që SHBA-ja dhe aleatët e tjerë deri më tani nuk e kanë miratuar.

Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili ishte në mesin e shoqëruesve të presidentit Biden, tha se SHBA-ja njoftoi Rusinë për udhëtimin disa orë përpara nisjes së presidentit Biden për "qëllime dekonflikti". Ai refuzoi të komentonte se si Moska i ishte përgjigjur lajmit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se planifikimi për udhëtimin ishte bërë për "muaj me radhë" dhe se vendimi përfundimtar u mor të premten.

Në një skenë që shtoi dramën në vizitën e profilit më të lartë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan, ndërsa Biden dhe Zelenskyy ishin në Katedralen e Shën Michaelit në qendër të Kievit.

Zhgënjimi rus

Blogerët ushtarakë prorusë kritikojnë Moskën për vizitën e Bidenit në Kiev

Blogerët dhe gazetarët ushtarakë prorusë kanë kritikuar Kremlinin se nuk është në gjendje të pengonte vizitën e Bidenit.

Veterani i ushtrisë ruse dhe ish-oficer i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Igor Girkin, tha se Bideni mund të çohej deri në Bakhmut dhe asgjë nuk do t'i ndodhte.

“Nuk do të habitemi nëse gjyshi sillet edhe në Bakhmut... dhe asgjë nuk do t’i ndodhë atij”, vuri në dukje me ironi Girkin. Ai ka qenë kritik ndaj Kremlinit dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes për atë që ai e konsideron një qasje “të butë” ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Gazetari rus, Sergey Mardan, dha një ton më të fortë, duke e quajtur vizitën e Bidenit një “poshtërim demonstrues të Rusisë”.

“Bideni në Kiev. Poshtërim demonstrues i Rusisë”, shkroi Mardan në kanalin e tij telegram. “Përralla të hipersonikëve të mrekullueshëm mund të lihen për fëmijët. Ashtu si magjitë për luftën e shenjtë që po bëjmë me gjithë Perëndimin”.

Klitschko: Vizita e Bidenit, “simbolike”

Vizita e papritur e Bidenit është “e rëndësishme” dhe “simbolike”, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

“Është një udhëtim i rrezikshëm, është një vendim i vështirë, por është shumë i rëndësishëm dhe ka simbolikë… i tregon të gjithë botës se Shtetet e Bashkuara mbështesin Ukrainën”, tha ai. “Na jep shumë më tepër energji për të luftuar nëse i ndiejmë miqtë tanë pas nesh, është një mesazh shumë i rëndësishëm”.

Bideni njoftoi një ndihmë shtesë prej gjysmë miliardë dollarësh gjatë udhëtimit të tij, duke përfshirë më shumë municione, por nuk përfshinte asgjë të re si raketa me rreze më të gjata ose avionë luftarakë.

“Ushtarët ukrainas… kanë luftuar tashmë një vit kundër një prej ushtrive më të forta në botë: ushtrisë ruse”, tha Klitschko.

Përgatiti: Rexhep Maloku